Protestë për provimin e Maturës/ 2 gjimnazistë futen brenda Ministrisë së Arsimit, takim me përfaqësues të saj

12/06/2020 12:36

Teksa që në orën 11:00 ka nisur përpara Ministrisë së Arsimit protesta sa i takon provimit të djeshëm të Maturës Shtetërore, atë të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë mësohet se dy maturantë kanë hyrë brenda godinës së ministrisë, ku po zhvillojnë një takim me përfaqësues të saj.

Në postime të shumta që qarkulluan përgjatë ditës së djeshme në rrjetet sociale, maturantët shprehën pakënaqësitë e tyre rreth tezës së formuluar, të cilën e cilësuan të vështirë dhe me pyetje abstrakte apo që gjendeshin jashtë programit.

Në protestë, maturantët kërkojnë mundësi për rivlerësimin e provimit, uljen e katofit (skemës së pikëve) të vlerësimit dhe mosvlerësim të pyetjeve jashtë programit.

Me pankarta në duar, djem dhe vajza kanë bllokuar rrugën përpara Ministrisë, ndërkohë që nuk kanë munguar as goditjet me vezë ndaj mureve të ministrisë.

Top Channel