Viktima e atentatit të  mbrëmjes së kaluar, Hekuran Billa, një i akuzuar për vrasje e plagosje të trefishtë   ne Angli,  e kishte lënë burgun pas krahëve në Shqipëri në 23 shkurt 2019, duke shfrytëzuar disa gjykata në vend që i njohën vendimin e drejtësisë britanike nga 32 vite në 25 vite burgim.

Por vendimi që e afroi me lirinë është ky vendim i Gjykatës së Krujës aty ku i burgosuri mbahej . Sipas vendimit të gjyqtares Enkeleida Hoxha 40-vjeçarit të dënuar me 32 vite burg nga drejtësia britanike i kishin mbetur dhe pesë vite burgim. Në muajin shkurt gjykata vlerësoi se Billa kishte qëndruar ne qeli 19 vite, edhe vrasja që ai kreu në një lokal  në Britaninë e Madhe ndodhi në tetor 2006.

Gjykata në vendimin që Top Channel disponon urdhëron shërbim prove për Hekuran Billën për pesë vitet e ardhshme, me kushtin qe ai të rehabilitohej. Gjykata mori parasysh pretendimin e të burgosurit që këmbënguli se prindërit e tij ishin të moshuar dhe jetonin vetëm.

Por provat që bindën gjykatën  lidhen drejtpërdrejtë me një sërë shkresash e raportesh mjekësore që vërtetonin gjendjen jo të mirë shëndetësore të prindërve të Billës, si dhe një kontratë që Billa e kishte siguruar nga qelia dhe që garantonte punësimin e tij si korrier në një studio në kryeqytet.

Këto dokumente nuk u kontrolluan asnjëherë ashtu si edhe dënimi me kusht i 40-vjeçarit, i arrestuar  pas krimit në Danimarkë në vitin 2007. Njëkohësisht gjykata të tjera kishin dhënë vendime për Billën.

Siç rezulton nga dokumentet, pasi Billa kreu krimin në Britani në vitin 2006, në korrik 2013 ministria e drejtësisë nisi procedurat për ekstradimin e tij.  Më pas dënimi i drejtësisë britanike zbriti në 25 vjet burg në Shqipëri nga 32 që kishte dhënë Britania e Madhe qe njihet ndryshe si dënim plotësues i përjetshëm.

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë nisi verifikimet për të zbuluar se si vendimi i drejtësisë britanike u njoh në vetëm 25 vite burg dhe se si hallkë pas hallke ky dënim zbriti në pesë vite kusht.

Top Channel