Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020 i ka dërguar formularin 3 personave të tjerë.
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
-Orgest Balla banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”;
-Endrit Qyqja, banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim;
-Geno Lena, banues në Vlorë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.
Top Channel