Durrësi ka nisur të marrë frymë lirisht pas heqjes së mbeturinave nga rrugët e trotuaret dhe depozitimin e tyre në Sharrë.

Megjithatë situata mbetet kritike, ndaj Bashkia dhe Këshilli Bashkiak i Durrësit pritet të kërkojnë shpalljen e emergjencës mjedisore në territorin e saj për shkak të situatës së krijuar.

Pas një miratimi paraprak nga ana e Ministrisë së Financave për një fond të dedikuar për mbetjet urbane deri në dhjetor të këtij viti, ndërmarrja komunale e bashkisë nisi pastrimin e qytetit dhe dërgimin e tyre në landfillin e Sharrës.

Në korrik të vitit 2018 Këshilli Bashkiak i Durrësit shpalli emergjencën e parë mjedisore për shkak të situatës së krijuar në venddepozitimin e mbetjeve urbane në Porto Romano, Vadardhë dhe Manëz, ndërsa qeveria kërkoi nga kryebashkiaku i atëhershëm të nisë bisedimet për lidhjen e një kontrate me kompaninë koncensionare të inceneratorit të Sharrës.

Për shkak të kostove të larta dhe problemeve të tjera me të cilat u përball bashkia, marrëveshja nuk u arrit. Mbyllja e venddepozitimit të Porto Romanos të kthyer në një gangrenë për qytetin krijoi një problem dhe më të madh për qytetarët. Plehrat pushtuan rrugët. Depozitimi i mbetjeve në Sharrë kapte vlerën 29 euro/ton. Bashkia u përball me mungesën e fondeve për të dërguar dhe trajtuar mbetjet e saj në Sharrë, si dhe me rebelimin e banorëve të Manzës e Sukthit për të hedhur mbetjet në territorin e tyre.

Me shpalljen e emergjencës mjedisore, Bashkia e Durrësit kërkon mbështetje për menaxhimin e kësaj emergjence nga Komiteti Ndërministror i menaxhimit të integruar të mbetjeve duke synuar zgjidhjen afatgjatë të problemit.

Top Channel