Teksa Durrësi prej javësh po përballet me emergjencën mjedisore të shkaktuar nga mbyllja e vendgrumbullimit në Porto Romano, një administrator i një kompanie që ofron shërbime pastrimi ka urdhëruar hedhjen e thasëve të tërë me mbetje ushqimore në këtë zonë të Shkozetit.

Administratori 52-vjeçar i kësaj kompanie pastrimi (”Alpen Pulito”), Rahmi Dajlani, është arrestuar nga policia për krimin mjedisor të ndotjes së ajrit.

Edhe pse kanë parë hedhjen e karrocave me plehra, banorë dhe punonjës kompanish ushqimore në këtë lagje industriale të Durrësit hezitojnë të flasin.

”I pashë që po i hidhnin me karroca nja dy djem romë, po nuk e di nga ku vinin”, shprehet një punonjës.

”Ne punojmë atje 8 orë dhe s’dalim. Na shqetëson situata. Te ne vjen makina që i derdh mbeturinat”, tregon një tjetër.

Niveli i lartë i ndotjes së ajrit mbetet një rrezik potencial për shëndetin e njeriut, veçanërisht për personat me sëmundje kronike dhe fëmijët. Ky është rasti i parë i procedimit penal për ndotje ajri në këtë situatë emergjence.

Neni 201 i Kodit Penal

Ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive e bërë tej kufirit të normave të lejuara, kur vepra nuk përbën kundërvajtje administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet.

Top Channel