Foto/ Gropa ‘përpin’ tre anije në Angli, shpëtojnë mrekullisht dhjetëra persona
Aplikimet për azil në Evropë ranë në nivelin më të ulët të një dekade pas mbylljes së kufijve për shkak të koronavirusit.
Shifrat e Zyrës Evropiane për Mbështetjen e Azilit, EASO, tregojnë se numri i kërkesave për azil u tkurr në 8,730 gjatë muajit prill, një rënie prej 86% krahasuar me shkurtin, kur regjistroheshin më shumë se 61,400 të tilla. Blloku i mbylli kufijtë e jashtëm në mars dhe shumë prej 27 vendeve anëtare të tij e pezulluan regjistrimin e aplikimeve.
“Është e qartë se qasja e aplikantëve të mundshëm për azil ka qenë tejet e kufizuar gjatë muajve të fundit”, tha për “Reuters” drejtoresha ekzekutive e EASO, Nina Gregori.
“Situata për këta njerëz ka qenë padyshim sfiduese. Covid-19 e rëndoi edhe më tepër gjendjen e atyre që i largohen dhunës dhe persekutimit”, shtoi ajo.
Shumica e aplikimeve gjatë 2020-tës deri në muajin prill, kanë qenë nga shtetas sirianë, afganë, venezueljanë dhe kolumbianë.
Këto vitet e fundit, është bërë më e vështirë për azilkërkuesit që të mbërrijnë në Europë. BE-ja i ka bllokuar rrugët e mëhershme tokësore të emigrantëve e ka siguruar dhe ndihmën e Libisë e Turqisë për t’u penguar atyre nisjen drejt vendeve evropiane përmes detit. Në prill, Italia tha se nuk do t’i lejonte anijet e emigrantëve të hyjnë në portet e saj pasi nuk konsiderohen të sigurta për shkak të pandemisë.
Top Channel