
23-vjeçarja Stephanie Browitt, e cila i mbijetoi një shpërthimi vullkanik edhe pse me djegie të tmerrshme në 70% të trupit, thotë se nuk po e kapërcen dot dhimbjen e humbjes së motrës dhe babait.
Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë një vizite të tyre në White Island të Zelandës së re, kur vullkani në dukje i fjetur, shpërtheu duke i zënë turistët në befasi. Më shumë se 20 vizitorë humbën jetën në atë tragjedi, dhe 26 të tjerë morën plagë të rënda.
Në vendin e rrezikshëm turistik, ishin mbledhur kureshtarë nga Australia, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Kina, Britania e Malajzia. Familja Browiit e kishte pritur me padurim këtë udhëtim, si diçka të rrallë që vjen “një herë në jetë”. E ëma e vajzës, Marie kishte qëndruar në varkë, ndërsa i ati Paul kishte shkuar në ishull bashkë me Stephanie dhe vajzën e vogël Krystal dhe për të parë vullkanin nga afër.
Fatkeqësisht, shpërthimi i zuri aty. Krystal vdiq në vend, ndërsa Paul ndërroi jetë më vonë në spital. 6 muaj pas ngjarjes që i ndryshoi jetën, 23-vjeçarja që pësoi në të gjithë trupin djegie të gradës së tretë dhe humbi një pjesë të gishtërinjve, thotë se ajo që i ndodhi është “ makthi më i madh i çdokujt”.
“Më duket sikur ka qenë dje”, shprehet me dhimbje vajza, që nuk po e kapërcen dot humbjen e familjarëve të saj.
Top Channel