23-vjeçarja Stephanie Browitt, e cila i mbijetoi një shpërthimi vullkanik edhe pse me djegie të tmerrshme në 70% të trupit, thotë se nuk po e kapërcen dot dhimbjen e humbjes së motrës dhe babait.
Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë një vizite të tyre në White Island të Zelandës së re, kur vullkani në dukje i fjetur, shpërtheu duke i zënë turistët në befasi.
Më shumë se 20 vizitorë humbën jetën në atë tragjedi, dhe 26 të tjerë morën plagë të rënda. Në vendin e rrezikshëm turistik, ishin mbledhur kureshtarë nga Australia, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Kina, Britania e Malajzia.
Familja Browit e kishte pritur me padurim këtë udhëtim, si diçka të rrallë që vjen “ një herë në jetë”. E ëma e vajzës, Marie kishte qëndruar në varkë ndërsa i ati Paul kishte shkuar në ishull bashkë me Stephanie dhe vajzën e vogël Krystal dhe për të parë vullkanin nga afër. Fatkeqësisht, shpërthimi I zuri aty.
Krystal vdiq në vend, ndërsa Paul ndërroi jetë më vonë në spital. 6 muaj pas ngjarjes që I ndryshoi jetën, 23 vjeçarja që pësoi në të gjithë trupin djegie të gradës së tretë dhe humbi një pjesë të gishtërinjve, thotë se ajo që I ndodhi është “ makthi më i madh i çdokujt”. “ Më duket sikur ka qene dje”, shprehet me dhimbje vajza, që nuk po e kapërcen dot humbjen e familjarëve të saj.
Top Channel