Kjo është qendra e Azil kërkimi në Babrru, e cila strehon shtetas nga Siria, Afganistani, Maroku e Algjeria.
Por prej disa muajsh situata për banorët e kësaj zonë është kthyer në shqetësim pasi, emigrantët këtu kryesisht të rinjtë në moshë vjedhin banesat ngjitur me kampin, duke kaluar nëpërmjet mureve rrethuese.
“Na vjedhin. Kalojnë nëpër muret e shtëpisë. Kemi frikë të ecim në rrugë. Bëjnë sherre”.
Së fundmi në rrugët e Tiranës mund të shohim shumë emigrant. Unë këtu jam me Azeldor dhe Çefik, të cilët janë nga Maroku dhe kanë dy ditë në Tiranë. Ata kanë ecur për 13 ditë nga kufiri i Greqisë, për të ardhur në kryeqytet. Të pyetur nga ne nëse ata njohin bashkëkombas të tyre të cilët kanë kryer vjedhje, ata thanë se nuk janë marokenët të cilët kryejnë këto vepra penale.
“Jo, marokenët janë të mirë. Nuk shkaktojnë probleme. Kryesisht problematik janë ata nga Algjeria, Tunizia, Libia, ata janë personat që vjedhin. Marokenët shkojnë shumë me Shqiptarët”.
– Keni ndonjë nga të njohurit tuaj këtu në Shqipëri që është shoqëruan në polici se ka vjedhur?
“Jo nuk kemi asnjë të tillë. Kryesisht policia shqiptare është e mirë me ne marokenët. Na sheh, na bën kontroll fizik dhe na lë të shkojmë nëse s’ka probleme”.
Por një tjetër emigrant, nga Palestina, i cili qëndron në kampin e Babrrusë pohon tërësisht të kundërtën, kur bëhet fjalë se cilat janë shtetasit që kryejnë vjedhjet.
“Janë nga Maroku dhe Algjeria. Ka ardhur policia disa herë që i ka shoqëruar, nga tre katër veta. Janë njerëz të cilët nuk kanë familje dhe dalin vjedhin kryesisht celularë dhe para. Kanë vjedhur edhe brenda në kamp”.
Ndërkaq, për shumë nga emigrantët që shihen rrugëve apo po qëndrojnë në kamp, Shqipëria është vetëm një vend tranzit.
– Djema, nga jeni me origjinë?
– Nga Siria, Algjeria dhe Maroku.
– Ku po qëndroni këto kohë?
– Në hotel.
– Hotelin me se e paguani, ku i gjeni paratë?
– Kemi punuar nga tre muaj në Greqi. Me ato para edhe ushqehemi. Më pas duam që të shkojmë në Europë. Unë po mendoj ose në Francë, ose në Belgjikë. Sduam të qëndrojmë shumë gjatë në Shqipëri. /Andi Bora/
Top Channel