Vdes “daja” i Rinasit/ Ragip Hajdini u arrestua për grabitjen e parave/ Familjarët: Iu prekën të drejtat

09/06/2020 09:52

Ka ndërruar jetë Ragip Hajdini, i njohur si Daja nga Kosova, i arrestuar për grabitjen e 9 prillit në Rinas.

Vetëm dy ditë më parë familjarët dhe mbrojtësi i Ragip Hajdinit në një intervistë me gazetaren e Top Channel Anila Hoxha kërkuan që Avokati i Popullit të mbikëqyr veprimet e institucionit të burgjeve.

Nga ambientet e spitalit ku 51 vjeçari i ishte nënshtruar terapisë, të afërmit këmbëngulnin se Hajdinit ju prekën të drejtat, që nga mos njoftimi i familjes e deri tek refuzimi që një i afërm t’i qëndrojë pranë.

Ata i thanë gazetares Anila Hoxha se: Është absurditet të mendosh që ai mund të arratiset, ai nuk lëviz dot as nga krevati. Doktori ka thënë se nuk ekziston një terapi që ta shërojë, është i pashërueshëm. Dhe sikur të ishte 20 vjeç nuk shpëton. Ne duam vetëm dikë që ta ketë afër qoftë për një pikë ujë.

Hajdini, ishte personi i 6 i arrestuar si i dyshuar për grabitjen në Rinas i cili njihet edhe me nofkën “daja” ka qenë me precedentë të mëparshëm kriminalë.

Ragip Hajdini nga Peja e Kosovës i arrestuar në zonat përreth Kavajës për grabitjen në Rinas është i njohur për drejtësinë.

Arrestimi i tij erdhi pas dëshmisë së dëshmitarit të drejtësisë, Alkond Bengasi, që tha se “daja” nga Kosova ishte një person tullac, të cilin e kishte takuar disa herë me Admir Muratajn, i cili mbeti i vrarë gjatë ndjekjes.

Grabitja ndodhi në orën 15:00 më 9 prill brenda në pistën e aeroportit të Rinasit. Pas grabitjes policia u vu në ndjekje të fugonit me mbishkrimin
“Hetim Tatimor” që u përdor për grabitjen nga autorët, aty ku më pas nga shkëmbimi me armë mbeti i vrarë Admir Murataj.

Top Channel