
Sot janë bërë dy vite që nga vdekja e ish-kryetarit të Federatës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.
Me këtë rast personalitete të shquara sportive në Kosovë kanë përkujtuarë atë, duke bërë homazhe tek varri i Vokrrit.
Homazhe në nder të Fadil Vokrri bëri edhe ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi e cila me këtë rast u shpreh se Vokrri ka qenë një njeri i madh dhe këtë e ka dëshmuar edhe në arenën ndërkombëtare, duke e bërë Kosovën anëtare të FIFA-s dhe UEFA-s.
“Ai ka qenë njeri shumë i madh, ku ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për sportin, në faza të ndryshme të jetës së tij. Sidomos në pjesën e fundit ku arriti që Kosovën dhe futbollin ta fut në pjesën, pra ndërkombëtare në UEFA dhe në FIFA. Kontributi i tij është i jashtëzakonshëm dhe ne si MKRS do ta mbështesim amanetin e tij që sportin ta dërgojmë sa më shumë përpara…. Fadil Vokrri do ta respektojnë gjenerata e gjenerata të cilat do të vijnë dhe faktikisht me kontributin e tij ai është i pavdekshëm”, tha Dumoshi.
Ndërsa pasuesi i Vokrrit, kryetari i tanishëm i FFK-së, Agim Ademi u shpreh se njerëzit e mëdhenjtë siç është Fadil Vokrri nuk vdesin kurrë, dhe vet ai është një frymëzim për futbollistët tanë.
“Edhe sot si çdo vit është një ditë dhimbje dhe krenarie, sepse është dyvjetori i vdekjes së legjendës sonë, të ish-kryetarit Fadil Vokrri i cili në kohën e fundit ose në kohën moderne të futbollit e quaj kështu për faktin se jemi të pranuar tanimë në UEFA dhe FIFA dhe kontributi i tij është i pashmangshëm dhe i paharrueshëm në këtë drejtim, gjithsesi edhe në drejtime tjera të organizimit të brendshëm. Përveç fushës së gjelbër ai i ka treguar aftësitë e veta edhe në tavolina, sidomos në ato ndërkombëtare, me sharmin e tij me sinqeritetin e tij dhe me miqësinë e tij që e ka pas”, u shpreh Ademi.
Kujtojmë që Fadil Vokrri ishte kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës për një dekadë, prej 16 shkurtit 2008 deri në vdekjen e tij më 9 qershor 2018.
Top Channel