Bizneset në Uashington pas dëmeve dhe plaçkitjeve

09/06/2020 19:24

Ndërsa protestat përfshinë kryeqytetin amerikan, mes shumë qyteteve të tjera, pronarët e disa kafeneve dhe restoranteve në qendër të Uashingtonit panë teksa bizneset e tyre u plaçkitën dhe u dëmtuan.

Por pavarësisht dëmeve dhe pritjes edhe më të gjatë për t’u rihapur, disa pronarë biznesesh po zgjedhin të mbështesin protestuesit. Njofton më hollësish korrespondentja e Zërit të Amerikës Karina Bafradzhian.

Në vend që restorantet dhe lokalet në qendër të Uashingtonit të ishin të mbushura plot me klientë, ato kanë goshuar me dërrasa dyert dhe dritaret si rezultat i protestave mbi vdekjen e George Floyd.

Mes bizneseve që u grabitën dhe dëmtuan gjatë protestave në kryeqytetin amerikan ishte edhe restoranti “Equinox” që ndodhet pranë Shtëpisë së Bardhë. Ata kishin një ditë që ishin hapur, kur u desh të mbylleshin përsëri dhe të gozhdonin dyert e tyre. Ellen Kassoff është pronare e restorantit “Equinox”.

Natën e parë shkuam atje kur dëgjuam se çfarë po ndodh. Më kapi adrenalina. Morëm leje nga policia që të shkonim. Në të vërtetë nuk ka të bëjë me pronën. Është një çështje më e madhe që po ndodh tani dhe të flasësh për dëmin ndaj pronës tonë na duket e parëndësishme”.

Punonjësit e restorantit nuk ishin në punë kur ndodhi grabitja. Por askush nuk e di se kur do të jenë në gjendje të kthehen dhe të fillojnë punën nën masa të sigurta.

Nuk mund të vë në rrezik punonjësit e mi ndaj nuk do të hapemi. Po ndjek me vëmendje kryebashkiaken dhe si po rrjedhin gjërat. Mendoj se është më mirë të lëmë hapësirën e duhur për të vepruar”.

Pronarët e rrjetit të ëmbëltoreve “Dolcezza” po ashtu pësuan dëmtime. Rob Duncan është një prej pronarëve.

Një dyqan ka shtyrë hapjen deri sa të rregullojë dritaret e thyera dhe xhamat, që do të thotë që nuk do të hapet edhe për dy ose tre javë të tjera”.

Dëmet e shkaktuara nga protestuesit kanë sjellë një tjetër kapitull të dhimbshëm për pronarët e restoranteve dhe kafeneve pas mbylljes së detyruar disa mujore nga koronavirusi.

Amy Brandwein, pronare e restoranteve “Centrolina” dhe “Piccolina” pati një fat më të mirë. Ajo pati gozhduar me dërrasa dyert dhe dritaret para se të fillonin trazirat. Por ajo shqetësohet se bizneset e saj mund të mos i mbijetojnë kësaj vale të re vështirësishë.

Nuk mund të përballoj financiarisht të zëvendësoj një dritare. Do të më detyronte shtyrjen e hapjes që do të më dëmtonte shumë. Mendoj se gjërat duhet të jenë paqësore, por ka patur kaq shumë dhimbje sa është e vështirë të kontrollosh emocionet e masave. Zërat duhet të dëgjohen në atë mënyrë që të ndikojnë për ndryshim. Nuk jam e sigurtë që thyerja e më shumë dritareve funksionon”.

Por shumë pronarë biznesesh thonë se mbështesin protestuesit pa marrë parasyshë se çfarë, edhe pse pronat e tyre do të dëmtoheshin. Rob Ducan është një nga pronarët e rrjetit “Dolcezza”.

Argumentat për të patur protesta paqësore dhe argumentat që mes protestave ka dhunë dhe dëme…unë nuk e di cila është rruga e drejtë ose nëse ka një rrugë që kjo të ndodh… Mua më intereson të shoh që ndryshimi të ndodhë”.

Sipas kryebashkiakes Muriel Bowser, restorantet e kryeqytetit mund të rrinë hapur deri në 7 të darkës. Shumica nuk rrezikojnë hapjen me shpresën se gjërat do të normalizohen së shpejti./VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA