Ish-sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, kritikoi ashpër presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për mënyrën se si i ka adresuar protestat kundër racizmit në SHBA.

Powell, republikan dhe ish-oficer i lartë ushtarak, tha se Trump “ka dalë nga kushtetuta”.

“Ne kemi kushtetutë dhe duhet ta ndjekim atë, por presidenti është larguar prej saj”, tha Powell për rrjetin televiziv CNN.

Powell tha se në zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA do të votojë rivalin e Trumpit, kandidatin demokrat, Joe Biden.

Trump reagoi duke thënë se Powell është “tepër i mbivlerësuar”.

Powell, afrikano-amerikani i vetëm që ka shërbyer si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë amerikane, i është shtuar një liste të gjatë të zyrtarëve që kanë dënuar përgjigjen e Trumpit ndaj protestave.

SHBA-ja, qysh në fund të majit, është përfshirë nga protestat kundër racizmit, për shkak të vdekjes së një afrikano-amerikani në duart e policisë.

Trump i ka cilësuar protestuesit si “anarkistë profesionistë, plaçkitës, kriminelë” dhe ka kërcënuar se do të përdorë ushtrinë kundër tyre.

Powell tha se retorika e presidentit është rrezik për demokracinë amerikane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA