Makina e djegur në Elbasan dhe dyshimi për plagosjen e Ardian Çapjas, detajet dhe lidhja mes dy ngjarjeve

08/06/2020 11:33

Të tjera detaje mësohen nga ngjarja e makinës së djegur në Elbasan në të cilën u gjenden armë brenda dhe paraqitja në spital e 55-vjeçarit me iniciale A. Ç., që dyshohet se është Ardian Çapja. Policia nuk i ka lidhur akoma zyrtarisht dy ngjarjet me njëra tjetrën , por koha në të cilën kanë ndodhur ngjarjet sjell dyshime se ato në fakt kanë lidhje me njëra tjetrën.

Në makinën e djegur është gjetur një snajper dhe dyshohet se ajo është përdorur nga atentatorët për të qëlluar Ardian Çapjan. .

Policia njofton se makinën e djegur e kanë gjetur rreth orës 09:43, dhe gjatë punës për shuarjen e zjarrit është plagosur në këmbë, jashtë rrezikut për jetën, punonjësi i zjarrfikëses shtetasi D. M, 38 vjeç. “Dyshohet së plagosja është shkaktuar si pasojë e plasjes së plumbave që mund të kenë qenë në bagazhin e automjetit”, thotë policia.

Policia njoftoi më herët se një shtetas me inicialet A.Ç është plagosur para shtëpisë së tij në orën 09.37, në lagjen Emin Matraxhiu në Elbasan dhe ai tashmë, pra Ardian Çapja është sjellë në Tiranë tek Trauma.

Ardian Çapja është një emër i njohur për policinë shqiptare, pasi edhe më herët është përfshirë në konflikte me persona të tjerë në qytetin e Elbasanit. Një atentat ishte zhvilluar ndaj tij në vitin 2017, që kishte qenë i mirëorganizuar, ndërsa ai u qëllua me kallashnikov e armë të tjera. Në atë kohë, autorët dështuan në atentat, pasi ishin zbuluar më herët.

Autorët më 2017, të cilët ende nuk janë identifikuar, për të shmangur çdo dyshim, kishin modifikuar automjetin e përdorur prej tyre në mënyrë identike me atë të një prej fqinjëve të fisit Çapja, duke përdorur dhe targa të falsifikuara me numra të njëjtë. Pasi e kanë mbajtur nën vëzhgim për disa ditë, autorët kanë ndërhyrë në momentin kur Ardian Çapja po dilte nga banesa e tij. Ata kanë qëlluar nga një distancë e largët në momentin kur 49- vjeçari ka qenë pranë derës.

Ende nuk ka asnjë pistë konkrete për atentatin ndaj familjes Çapja më 2017, por më kryesorja lidhet me konfliktet e vjetra të fisit. Më 3 shkurt 2016 u vranë tre pjesëtarë të kësaj familjeje, kurse Florenc Çapja i shpëtoi një atentati të ndodhur në qershor 2016, ku mbeti i plagosur shoku i tij, Bledar Muça, me të cilin po udhëtonte në një makinë. Ndër vite, familja Çapja është akuzuar si e përfshirë në ngjarje kriminale, por edhe ka qenë pre e tyre.

Gjithçka ka nisur në vitin 2005, ku Sokol Çapja u përfshi në konflikt me ish-kreun e Qarkullimit Rrugor në Elbasan, Fadil Mema. Pas kësaj ngjarjeje mbeti i vrarë Sokol Çapja dhe si autorë u akuzuan nipat e oficerit të Policisë. Kjo pasoi me vrasjen e kunatit të Memës, Ardian Ibrahimi, në maj 2006.

Në vitin 2012, Gentian Beqiri, një nga të akuzuarit për vrasjen e Sokol Çapjes, u ekzekutua, ndërsa ishte lënë në arrest shtëpie. Ndërsa në mars 2015, në Torino të Italisë, u ekzekutua Fadil Mema.

Më pas, në shkurt 2016, mbetën të vrarë Agron Çapja, nipi i tij Ardit Sinakoli dhe Eno Bedalli, ndërsa mes tetë të plagosurve ishte dhe Florenc Çapja. Ndërsa në qershor 2016, Ardian Çapja, Florenc Çapja dhe Bledar Muça u arrestuan për sulm ndaj disa efektivëve civilë të Policisë pasi dyshonin se do të kryenin atentat ndaj tyre.

Top Channel