“Ishte një pagëzim shqiptar”/ Incidenti i frikshëm në Palasë, reagon kritiku italian Vittorio Sgarbi

06/06/2020 13:10

Teksa gjendej pasditen e djeshme duke pushuar në bregdetin e Palasës, në jug të Shqipërisë, kritiku i artit, politikani dhe historiani i njohur, Vittorio Sgarbi u përplas nga një dallgë, çka solli nevojën e ndërhyrjes së menjëhershme të vajzës së tij, Alba-s dhe një roje shpëtimi nga vendpushimi.

Videoja u përcoll mediatikisht me nota paniku, teksa personalisht Sgarbi e cilëson këtë eksperiencë si një pagëzim në ujërat shqiptare.

“Momente frike për Vittorio Sgarbi-n pasditen e djeshme në një plazh në bregdetin e Palasës, në jug të Shqipërisë, ku ishte mysafir”- shkroi faqja e Web-it të kritikut italian të artit.

Teksa gjendet në makinë përkrah kryetarit të bashkisë së Vlorës, mjekut Dritan Leli, Sgarbi shprehet:

“Momenti më i mirë ka qenë kur u zhyta në ato dallgë të mrekullueshme që për pak më morën me vete, por dola më i forta (nga deti). Asgjë e rëndë, vajza ime më ndihmoi të dal nga uji. Ishte si një pagëzim shqiptar.”

Top Channel