“Një gjest i ulët kriminal i sjelljes së një punonjësi policie”, kështu u shpreh Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj për arrestimin e shefit të komisariatit të Fushë Arrëzit, me akuzën e përdhunimit. Vajza denoncoi të gjithë përdhunuesit në emisionin “Dua të të bëj të Lumtur”, që transmetohet çdo të shtunë në Top Channel.

Ministri Lleshaj tha se duhet që të kemi një qasje tjetër për policinë pas këtyre rasteve.
Më tej, ministri ka theksuar se duhen shtuar dhe çuar në ekstrem penalitetet për kujdestarët.

“Ka ardhur koha të rishikojmë në thelb qasjen tonë për mbrojtjen e viktimave të dhunës seksuale, veçanërisht fëmijëve. Pasi shumë prej rastet vijnë nga kujdestarët, rojet dhe është për të ardhur keq. Duhen shtuar penalitetet dhe duhen çuar në ekstrem penalitetet për kujdestarët. Nuk është thjeshtë çështje e ligjit por edhe e sensibilizimit shoqëror. Duhet të reagojmë thellë si shoqëri. Dënimi me vdekje i stërdiskutuar nuk ka kthim, është i pakthyeshëm. Kemi reaguar pas sinjalit të parë dhe nuk i dimë detajet por do të marrim masa më të forta. Rreziku vjen shpesh për ata që janë vendosur për të bërë rojën, pra kujdestarë”, u shpreh Ministri Lleshaj.

Izmir Duraku është personi i cili u akuzua nga një 27-vjeçare e cila e ka kryer denoncimin dhe historinë e saj në emisionin “Dua të të bëj të Lumtur” në Top Channel.

Viktima e dhunës seksuale është rritur jetime në Shkodër dhe ka denoncuar në polici abuzimin nga personat që kishin për detyrë që ta mbronin dhe kujdeseshin.

Ngjarja që ka ndodhur në prill 2015, është konsumuar në mjediset e Komisariatit të Policisë Shkodër, kur efektivi ishte me detyre Specialist i Hetimit te Krimeve. Ajo kishte shkuar për të denoncuar për përdhunimin që i kishin bërë disa persona ne 2015, punonjës të shtëpisë së fëmijës ne Shkodër. Ndaj Izmir Durakut rëndojnë akuzat për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”

Vajza është e sigurt tashmë nën mbrojtjen e policisë.

Top Channel