Thuhet se fjala kuzhinë vjen nga bashkimi i ku dhe ziejmë, pra vendi ku gatuajmë. Një nga pikat e forta tërheqëse të vendit tonë është pikërisht kulinaria. Gatimet tradicionale janë pjesë e kulturës sonë dhe kalohen brez pas brezi në mënyrë që të mos humbasin. Këtë herë do të fokusohemi tek Veriu i Shqipërisë, i cili ka disa thesare në lidhje me traditat e gatimit. Si çdo gjë tjetër edhe kulinaria ndikohet nga klima e një zone kështu ajo bëhet e veçantë dhe i jep karakteristika fantastike një vendi.

Veriu i Shqipërisë shquhet për klimën e tij të ftohtë dhe të ashpër, ndaj edhe recetat janë të plota si në shije ashtu edhe në përbërje. Duke nisur nga llokumat, petullat fantastike, flija plot gjalpë e pjekur në saç, mishi i terur, pogaçja, buka kollomoqe, por edhe ëmbëlsirat e veçanta si kajmaçina, sherqeparet apo bushet. Më poshtë do gjeni dis receta speciale:

Perpeqi
Albanologjia këtë recetë e njeh si pica shqiptare dhe mendohet se daton që në kohën e Ilirëve. Në dukje të parë perpeqi ngjason me një pite të mbushur me djathë, por ai përmban edhe vezë, mazë, gjalpë dhe hudhër. Kjo recetë njësoj si flija piqet me saç.

Leçenik
Një nga gatimet më të preferuara me miell misri i kësaj zone. Ndryshe mund ta njihni edhe me emrin krelan misri, por sido që ta quani shija e tij të mbetet në memorie. Përgatitja e tij edhe me gjalpë edhe me ajkë e bën këtë recetë të mrekullueshme. Zakonisht në sofrat e veriut leçenikun e servirin me djathë të përgatitur vetë dhe me turshi pikante.

Qengj me Tamël
Kullotat e zonave malore të Veriut të vendit janë vlerësuar nga çdo specialist. Në këto kullota rriten qengja e keca të cilësisë së parë. Gjithashtu kjo zonë njihet edhe për një mënyrë të mrekullueshme të përgatitjes së mishit të qengjit. Në Kukës, Tropojë dhe Prizren është një recetë e vjetër dhe e thjeshtë, por me një rezultat fantastik kur flasim për shijen. Mishi i qengjit marinohet me kripë dhe piper e më pas shtrohet në një tavë me qumësht të freskët. Kjo recetë piqet në zjarr të ngadaltë në mënyrë që mishi të jetë i butë dhe plot aromë.

Kumështë
Kjo recetë i përket një pijeje fantastike si në shije po ashtu edhe në vlera. Kumshta përgatitet nga hirra e djathit dhe kos. Ngjason me dhallën por ajo që i jep shije dhe vlera është pikërisht hirra e djathit. Sipas të dhënave kjo pije shpërndahej në familje pasi ishte konsumuar një vakt me yndyrë. Gjithashtu ajo ishte një pije freskuese gjatë ditëve të nxehta për barinjtë që duhet të shëtisnin kullotat.

Kulaç i Gështenjave
Kjo recetë përgatitje nga gjyshet atëherë kur gështenjat nisnin e çelnin frutat. Një gatim i veçantë dhe shumë i thjeshtë i cili kërkonte vetëm tre përbërës; gështenja të ziera, sheqer dhe arra./AgroWeb.

Top Channel