Punonjëset e një fasonerie kanë protestuar të premten para Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Durrës.

Ato kanë kërkuar pagën e luftës si një e drejtë që u takon, për periudhën që nuk kanë punuar gjatë kohës së pandemisë, ndërkohë, sipas tyre, punonjëse në fasoneri të tjera kanë përfituar prej saj.

“Kryeministri thotë se do e marrin të gjithë pagën e luftës. Ose kryeministri del e thotë përralla në televizor, ose diçka nuk shkon. Ne duam pagën e luftës si e kanë marrë ata të tjerët”, shprehet një punonjëse.

“Kam 18 vite që punoj. Unë dua të drejtën time. Nuk lëvizim pa marrë 40 mijë lekëshin që ka premtuar kryeministri.”

“Ne sot nuk po punojmë dhe kemi bllokuar punën. Ashtu edhe këta nuk do i lejojmë të punojnë derisa ne të na paguhet paga. Ne na janë paguar siguracionet, por s’kemi marrë as lekë, asgjë”

“Ne kërkojmë të drejtat tona prandaj jemi këtu sot”.

“Ne kemi rrezikuar jetën tonë dhe kemi shkuar në punë, po kur nuk kishim punë kemi ndenjur në shtëpi. E. Rama duhet të na japë rrogën.”

Me ndërhyrjen e policisë, protestuesit u shpërndanë, po një përfaqësi  e tyre është pritur në takim nga drejtues të tatimeve në Durrës për t’u sqaruar mbi situatën e tyre dhe nëse do të mund të përfitojnë pagën e pamarrë.

 

Top Channel