Protestat në SHBA, Trump: Gati “ligjin e rebelimit”

04/06/2020 12:55

Shtëpia e bardhë ka paralajmëruar se presidenti Donald Trump është i gatshëm të ndërhyjë në mënyrë më agresive përballë situatës të krijuar në shumë qytete amerikane ku vijojnë protestat pas vdekjes së afro amerikanit George Floyd në duart e policisë.

Sekretarja për shtypin në shtëpinë e bardhë, Kayleigh McEnany tha se Trump ka autoritetin e vetëm për të vënë në veprim Ligjin e Rebelimit” dhe “nëse është e nevojshme, ai do ta bëjë këtë. Më herët, Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper tha se, “mundësia për të përdorur trupat në detyrë aktive në rolin e forcave të zbatimit të ligjit duhet të përdoret vetëm si shansi i fundit dhe vetëm në situatat urgjente dhe të ndera.”

“Ne nuk jemi në një nga këto situata tani. Unë nuk e mbështes vënien në veprim të Ligjit të Rebelimit”, tha Esper. Ligji federal i vitit 1807 lejon presidentin, në rrethana të ndera, të vendosë trupa ushtarake dhe të Gardës Kombëtare brenda vendit për të shtypur mosbindje civile, kryengritje apo rebelim. Edhe ish sekretari i mbrojtjes në administratën Trump që dha dorëheqjen në shenjë proteste ndaj tërheqjes së trupave amerikane nga Siria, Jim Mattis, akuzoi Trump se po përpiqet të përçajë Amerikën.

“Në jetën time, Donald Trumpi është presidenti i parë që nuk përpiqet t’i bashkojë amerikanët, dhe as pretendon ta bëjë një gjë të tillë,” tha ai në një deklaratë për shtypin. “Përkundrazi, ai po përpiqet të na ndajë”. Në mbështetje të protestuesve të rinj në SHBA, është pozicionuar edhe ish presidenti Barak Obama. Paraardhësi i Trump i kërkoi autoriteteve shtetërore dhe lokale të rishohin politikat e tyre për përdorimin e forcës dhe i drejtoi një mesazh të drejtpërdrejtë të rinjve dhe të rejave me ngjyrë.

“Po i drejtohem të rinjve dhe të rejave me ngjyrë në këtë vend, që kanë përjetuar kaq shumë dhunë e kaq shumë vdekje. Unë dua që ju të dini se ju keni rëndësi. Dua që ju ta dini që jeta dhe ëndrrat tuaja kanë rëndësi”.

Që nga vdekja më 25 maj në Mineapolis e George Floyd, një valë historike zemërimi është përhapur në qytetet amerikane, duke denoncuar racizmin, dhunën e policisë dhe pabarazinë sociale. Qindra mijëra njerëz protestuan paqësisht në të gjithë vendin, por plaçkitjet dhe trazirat gjithashtu dëmtuan lëvizjen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA