Pas kthimit të vendgrumbullimit të mbetjeve urbane në Porto Romano në një kantier ndërtimi, Durrësi ka mbetur pa një landfill për hedhjen e tyre. Në këto kushte, po bëhet rihapja e vendgrumbullimit të Sukthit, që po kundërshtohet me forcë nga banorët e zonës. Vendgrumbullimi ne lagjen Vadardhë ishte mbyllur që prej një viti për shkak të ndotjes së lartë mjedisore që shkaktonte.

“Kanë tentuar të vijnë makinat, po ne kemi bllokuar rrugën dhe nuk i kemi lënë. Erdhi nënkryetari i bashkisë dhe pretendoi që t’i sillnin plehrat këtu. Para 1.5 vjetësh na i hoqën pasi për 12 vjet janë depozituar plehrat këtu. Këtu nuk ka vend as për Sukthin, jo më dhe për Durrësin. Këtu duhet një hetim nga prokuroria pasi është një katastrofë mjedisore. Nuk kanë asnjë lloj leje për ta bërë këtë.”

“Jemi për të protestuar për kundërshtuar vendimin e bashkisë. Kjo dëmton shëndetin tonë. Digjen plehrat. Tymi dëmton shëndetin e fëmijëve tanë. Këtu do të rrimë dhe nuk do t’i lejojmë.”

“Kemi mbledhur 1000 firma të familjeve. Kjo zonë ka qenë tmerr nga djegia pasi e lironin vendin duke i djegur.”

Në mënyrë të vazhdueshme, TCH pati trajtuar situatën e mbetjeve urbane në vendgrumbullimet e Durrësit, Sukthit e Manzës derisa u shpall emergjenca mjedisore dhe u kërkua mbyllja e këtyre venddepozitimeve, po, në mungesë të një vendgrumbulli për trajtimin e tyre, situata ka dalë jashtë kontrollit.

Administratori i njësisë administrative Sukth deklaron se do të riaktivizohet vendgrumbullimi, po ai do të jetë i rrethuar dhe vetëm për hedhjen e mbetjeve të kësaj njësie.

“Landfilli i Sukthit qe pezulluar se digjeshin mbetjet derisa të bëhej rrethimi që të mos futeshin ata që digjnin mbetjet e ndotin zonën. Po bëhet rrethimi dhe do jetë me roje dhe portë që të bëhet vetëm hedhja e mbetjeve të Sukthit. Banorët janë shqetësuar se kanë marrë një lajm se do të vijnë mbetjet e Durrësit. Ne do të takohemi dhe me kryetaren e bashkisë që të gjejmë një zgjidhje për këtë problem.”, tha Rrapo Osmani, administrator i njësisë administrative Sukth.

Aktualisht, plehrat kanë mbetur rrugëve dhe të bllokuara nëpër kamionët e ndërmarrjes së pastrimit. Në një reagim të saj Bashkia e Durrësit bën të ditur se është në bisedime me qeverinë për të zgjidhur përfundimisht problemin e depozitimit të mbetjeve, ndërsa i ka kërkuar Ministrisë së Financave dhe një fond të posaçëm për këtë problem.

Top Channel