Uzina e pasurimit të bakrit në Fuzhë Arrëz shkarkon mbetjet e përpunimit në lumin Fan i Madh, duke ndotur kështu jo vetëm lumin, por edhe tokat të cilat vaditen nga ky lum.

Ngjyra që ka marrë lumi nga mbetjet është në ngjyrë të zezë dhe të bakrit. Dëshmi e kësaj janë gjurmët e lëna nga këto mbetje ndër gurë të zallit. Administratorët e BerAlb, i cili është edhe kompania koncesionare nuk pranuan të bënin asnjë deklaratë lidhur për këtë krim mjedisor. Bashkia Fushë Arrëz thotë se ankesa kanë vajtur edhe pranë tyre, ndaj kanë ngritur një grup pune për të vlerësuar situatën. Sipas tyre mund të shkohet deri në pezullimin e aktivitetit të firmës, pasi kjo nuk është hera e parë që ndodh. Ka ndodhur edhe më parë, por situata dukej e zgjidhur.

Lumi Mat, është rreth 115 km i gjatë dhe është ndër më të rëndësishmit në vend. Ai ndahet mes lumenjve Fan i Madh edhe Fan i Vogël. Pikërisht në Fushë Arrëz kalon lumi Fan i Madh i cili së fundmi është ndotur dhe ka marrë ngjyrën e bakrit për shkak të shkarkimeve të fabrikës.

Në Fiks Fare mbërritën disa video ku denonconin pikërisht këtë ndotje. Një grup xhirimi i emisionit u nis direkt për ta verifikuar. Rreth 15 metra poshtë fabrikës ka dy tubacione kryesore ku derdhen mbetjet. Në njërin prej tyre duket qartë sasia e konsiderueshme e mbetjeve që derdhën në vendin e quajtur Damë, rreth 100 metra përrua deri sa del në lumë. Pikërisht aty ku bashkohet me rrjedhën e lumit duket qartë dallimi mes ujit kristal që vjen nga Qafa e Malit dhe ujit që ndotet nga fabrika.

Fabrika aktualisht  operohet nga firma BerAlb, një kooperim Shqiptaro-Turk. Gazetarët këmbëngulën të merrnin një intervistë me njërin nga administratorët. Por edhe pse pritën deri në fund të orarit zyrtar të punës, askush nuk pranoi të dalë. Në një intervistë për Fiksin zëvendëskryetarja e bashkisë Ardiana Luli thotë se jo më larg se një ditë më parë ata kanë marrë një ankesë dhe menjëherë kanë ngritur një grup pune që aktuliasht është në terren për të verifikuar ngjarjen dhe do të merren masa.

“Kjo nuk është hera e parë që ndodh, më parë i është tërhequr vëmendja firmës edhe ka marrë masa. Kësaj here mund të shkojmë edhe në pezullimin te aktivitetit nëse vazhdon kjo gjendje” përfundon zëvendëskryetarja.

Top Channel