‘Zgjedhorja’/ Përfundon takimi me ambasadorët, përfaqësuesit politik shkojnë në selitë përkatëse për konsultim me Bashën e Ramën

03/06/2020 12:39

Takimi i ambasadorëve të SHBA, BE dhe Britanisë së Madhe, me përfaqësuesit e palëve politike për Reformën Zgjedhore ka marrë një tjetër rrjedhë.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se fillimisht nga mbledhja në rezidencën amerikane ka dalë përfaqësuesi i PS, Damian Gjiknuri, ndërsa më pas kanë dalë edhe përfaqësuesit e tjerë.

Gjiknuri pasi doli nga takimi me ambasadorët është parë me disa dosje në duar, ku mendohet të jetë konsensusi për Reformën Zgjedhore. Bëhet e ditur se pas takimit, Gjiknuri ka shkuar për të takuar kryeministrin Edi Rama.

Nga ana tjetër edhe përfaqësuesi i PD, Oerd Bylykbashi së bashku me përfaqësuesin e LSI, Petrit Vasili kanë shkuar në selinë e PD-së për tu konsultuar me kreun e opozitës, Lulzim Basha.

Ndërkohë në rezidencë pak më gjatë qëndruan ambasadorët së bashku me Rudina Hajdarin, por më pas edhe kjo e fundit u largua.

Kujtojmë se palët politike shkelën afatin e vetëdakordësuar për Reformën Zgjedhore që ishte 31 maji, pasi nuk gjetën dot konsensus. Ndërkohë prej disa ditësh prezenca e ndërkombëtarëve në vendin tonë po zhvillon takime për të arritur tek marrëveshja.

Dje pati një takim që zgjati rreth 9 orë, por sërish nuk u gjet gjuha e përbashkët. Sot mendohet që palët të dalin me një konsensus, megjithatë pritet që Ambasadorja amerikane, Yuri Kim të mbajë sot pasdite një deklaratë posaçërisht vetëm për Reformën Zgjedhore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA