Top Story risjell edhe një herë bisedën ne telefon që Sami Hoxha bënte me ambasadorin nga lindja e mesme. Ky i fundit i kërkon Samiut garanci nëse klientët e tij do të marrin lejen e qëndrimit edhe nëse nuk qëndrojnë në Shqipëri sipas afateve ligjore. Samiu del garant duke i treguar pikërisht lejen e qëndrimit që ka nxjerrë për Adel Thabin.

Ambasadori: – Dua të të pyes së sa gjatë duhet të rrijë në Shqipëri që të marri leje qëndrimi të përhershme. Sepse ai nuk ka kohë, ka punë, është biznesmen.
Sami Hoxha: – Për Kohën mos u shqetëso.
Ambasadori: – Sepse mua më thanë kolegët dhe bëra një kërkim.
Sami Hoxha: – Nuk është çështje kohe. Por është një problem investimi. E kupton këtë habibi?
Ambasadori: – Bëra një kërkim dhe mu tha se klienti im duhet të qëndrojë 6 muaj në Shqipëri. Por ai nuk mund ta bëjë këtë. Ai ka punë.
Sami Hoxha: – A mund ta shohësh këtë këtu, a mund ta shohësh të lutëm?
Ambasadori: – Po.
Sami Hoxha: – 2019 – 2025.

Pra, Sami Hoxha i bën reklamë vetes tek të tjerët se ai mund të rregullojë çdo lloj leje qëndrimi për ata që vijnë në Shqipëri. Edhe pa respektuar afatet. Kjo sepse ai ka lidhje të forta.

Sami Hoxha: – Përsa i përket lidhjeve të mia. Ne kemi lidhje shumë të fuqishme këtu.
Ambasadori: – Më falni…
Sami Hoxha: – Ne kemi lidhje shumë të fuqishme dhe lidhje shumë të mira, në të gjithë Shqipërinë.

Tek leja e qëndrimit më lart, për ortakun e Sami Hoxhës, shohim emrin e specialistit që ka përgatitur praktikën. Ai quhet Altin Hasani, shef seksioni në Drejtorinë e Policisë Kufitare. Ky njeri njihet brenda zyrave të emigracionit si i besuar i Enkeleda Toskës. Madje ai ka miqësi me trafikantin palestinez Salim El Sheik Josuf.

Trafikanti: – Altini është djalë i mirë. Më beso, më beso, është miku im, Altini është djalë i mirë dhe nuk i ka bërë keq askujt. Altini thjeshtë merr një kafe. Një kafe të vogël, jo shumë të madhe. Ai s’bën ndonjë gabim. Ai vjen këtu më takon mua tek lokali, pimë çaj bashkë. është djalë i mirë. Nëse ka ndonjë problem me ty nuk e di. Por unë me Altinin i kam gjërat drejtë. Sepse kam kaq vite që punoj me atë…

Trafikanti tregon se Altin Hasani është shumë i fortë brenda policisë së emigracionit se ka miq të fortë në Policinë e Shtetit. Mes bisedave del edhe emri i specialistes Albana Metko, roli i së cilës është i paqartë në trafikun e arabëve.

Trafikanti: – Albana, e njeh Albanën? Albana kërkon që ti kapi vetëm një gjë të vogël Altinit. Por ajo s’bën dot gjë për Altinin sepse ai ka një të madh atje lart (në policinë e shtetit).

Top Channel