Gjykata e Kurbinit ka dhënë masën e  sigurisë “arrest me burg”për 21-vjeçarin Kreshnik Tusha, i dyshuar si njëri nga autorët e vrasjes së dyfishtë në Kurbin.

Masa e sigurisë, Tushës i është komunikuar mbrëmjen e së martës në spitalin e Traumës në Tiranë ku po merr mjekim, pasi është i plagosur në këmbë.

I riu ka mohuar që të ketë lidhje me ngjarjen, por pritet përgjigjia e analizimit të njollave të gjakut që do të faktojnë ose jo përfshirjen e tij në këtë krim.

Bujar Lika, 37 vjeç, vdiq në vend nga plumbat, ndërsa njëri nga dy të plagosurit ndërroi jetë në spitalin e Traumës në Tiranë disa orë pasi u transportua. Mëngjesin e 31 majit u konfirmua se 53-vjeçari Paulin Gjergji nuk ka mundur që t’u rezistojë plagëve që mori nga plumbat duke ndërruar jetë pavarësisht tentativave të mjekëve.

Bujar Lika dhe Paulin Gjergji që humbën jetën nga atentati kanë qenë bashkë ulur në lokal në momentin kur u sulmuan. Viktima Bujar Lika është gjetur me armë në dorë ndërsa burime bëjnë me dije se ai ka qëlluar deri sa i janë mbaruar fishekët.

Bujar Lika rezulton një emër i njohur për policinë, pasi në vitin 2015 ishte mes të hetuarve për vrasjen e Enton Nikajt në Dajt. Për vrasjen e Nikajt fillimisht nga Shkalla e parë në 2016 u dënuan Emiljano Tasho 16 vjet, Erjon Biraci 2 vjet, Ervis Martinaj 1 vit e 4 muaj, Mirsad Kuçana 1 vit e 4 muaj dhe Bujar Lika 1 vit burg. Por në Apel, Ervis Martinaj, Mirsad Kuçana dhe Bujar Lika që u vra në Kurbin morën pafajësi, ndërsa Tasho u dënua përfundimisht me 14 vite për vrasjen e Enton Nikajt dhe Erjon Biraci 2 vite.

 

 

Top Channel