Trump bën thirrje për veprim më të ashpër kundër protestuesve

02/06/2020 01:48

Presidenti Donald Trump kritikoi ashpër guvernatorët e shteteve amerikane duke i quajtur “të dobët” të hënën, ndërsa u kërkoi që të shtypin protestat dhe të bëjnë arrestime, pas gjashtë netësh demostratash kaotike në dhjetëra qytete amerikane. Protestat pasuan vdekjen e një afrikano-amerikani në duart e një polici të bardhë në Mineapolis.

Udhëheqësi amerikan u tha guvernatorëve përmes një video-konference se ata “duhet të tregohen shumë më të ashpër” me demostruesit, pasi kishte parë protestat e së dielës, që shpesh filluan paqësore dhe u kthyen në përleshje me policinë dhe organe të tjera të rendit të pajisura me mjete për të përballur përleshjet. Policia në disa qytete përdori gazin lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë protestuesit edhe pse disa demostrues dogjën makinat e policisë dhe shkatërruan e plaçkitën dyqane.

“Shumica prej jush jeni të dobët”, u tha Presidenti Trump guvernatorëve. “Ju duhet të arrestoni njerëz, duhet t’i gjurmoni ata, duhet t’i burgosni për dhjetë vite dhe kjo gjë nuk do të ndodhë më”. Një prej protestave u zhvillua pranë Shtëpisë së Bardhë në kryeqytetin amerikan ku banon Presidenti Trump. Përplasje të protestuesve me policinë u zhvilluan në mbarë vendin, ndoshta trazirat më të përhapura në vend që nga ato të nxitura nga kundërshtimet për luftën në Vietnam në vitet ‘60.

Protestat rrodhën si rezultat i zemërimin rreth vdekjes një javë më parë të afrikano-amerikanit 46 vjeçar George Floyd. Polici i bardhë Derek Chauvin i vuri gjurin mbi grykë zotit Floyd për tetë minuta dhe 46 sekonda, ndërsa afrikano-amerikani me pranga në duar dhe i shtrirë përtokë thoshte se nuk mund të merrte frymë. Polici është pushuar nga puna dhe ndaj tij janë ngritur akuza, me të tjerave edhe për vrasje të shkallës së tretë për rastin në fjalë. Qytetet Los Anxhelos, Çikago, Majami dhe Filadelfia janë mes afro 40 qyteteve që kanë vendosur rregulla që ndalojnë marshimet pas muzgut të mbrëmjes. Guvernatorët e shteteve Teksas dhe Virxhinia kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

Situata të ngashme kanë ndodhur në shumë qytete kur protesta paqësore nga mijëra njerëz janë kthyer më pas në trazira, ndërsa policia e pajisur me mburoja dhe shkopinj gome është përpjekur të ndalojë demostruesit. Policia përdori gazin lotsjellës ndaj turmave ndërsa disa njerëz dogjën dhe thyen dyqanet nëpër rrugë. Po ashtu ka patur njoftime në shumë qytete për gazetarë të plagosur nga policia ndërsa mbulonin ngjarjet. Policia në kryeqytetin Uashington përdori gaz lotsjellës dhe granata frikësuese për të shpërndarë një turmë prej më shumë se një mijë njerëzish në Parkun Lafayette, pranë Shtëpisë së Bardhë. Turma pati marshuar nga Universiteti Howard dhe e përqendroi zemërimin ndaj policisë ndërsa brohoriste “Pa drejtësi nuk ka paqe” dhe “Nuk duam polici raciste”.

Kryeqyteti njofton ndalim qarkullimin
Kryebashkiakja e Uashintonit Muriel Bowser urdhëroi ndalim- qarkullimin në mbrëmjen e së dielën deri në mëngjesin e së hënës, ndërsa autoritetet aktivizuan trupat e Gardës Kombëtare në kryeqytetin amerikan dhe po ashtu edhe në të paktën 15 shtete të tjerë në ndihmë të policisë. Trupat e Gardës Kombëtare bashkëpunuan me policinë në Atlanta të shtetit Xhorxhia për të zbatur ndalimin e qarkullimit gjatë natës. Kryebashkiakja e Atlantës Keisha Lance Bottoms në orët e para të së dielës pushoi nga puna dy policë dhe ndaj tre të tjerëve po kryhen hetime mbi akuzat për përdorim të tepruar të force në mbrëmjen e së shtunës.

Qyteti i Nju Jorkut nuk vendosi masa për ndalim qarkullim, ndërsa gjatë ditës policia mbajti distancë nga protestuesit por gjatë natës pati raste kur policia ndërhyri për të shpërndarë protestuesit dhe bërë arrestime, ndërsa protestuesit gjuajtën policinë me sende të tjera të forta. Demostratat në qytetin Portland të Oregonit ishin kryesisht paqësore deri në orët e mbrëmjes, kur policia njoftoi se ndaj tyre ishte qëlluar me sende shpërthyese. Policia dhe organet e rendit përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat.

Racizëm në sistem
Marshuesit thonë se ata po protestojnë jo vetëm ndaj trajtimit të ashpër policor të popullsisë me ngjyrë, por gjithashtu ndaj asaj që e quajnë “sistem racist” në Shtetet e Bashkuara. Chauvin, polici që mbajti nën gju Floyd dhe tre policë të tjerë të pranishëm, që nuk ndërhynë, u pushuan nga puna të martën e kaluar. Chauvin është akuzuar për vrasje. “Po kërkojmë drejtësi dhe po e ndjekim pa mëshirë”,tha Prokurori i Përtgjithshëm i Minesorës Keith Ellison.

Shumë subjekte kanë shprehur mbështetje për protestuesit, që nga korporatat e deri tek ekipet sportive profesionale. “Ne nuk do të tolerojmë më vrasjet e njerëzve me ngjyrë në këtë vend”, thuhet në një dekleratë nga lojtarët e ekipit të basketbollit Wizards të kryeqytetit amerikan. “Ne nuk do të pranojmë më abuzimin e pushtetit nga organet e rendit. Ne nuk do të pranojmë më udhëheqës qeveritarë jo-efektivë që janë të shurdhër, nuk kanë dhembshuri apo respekt për popullsinë me ngjyrë. Ne nuk do të mbyllim më gojën dhe të lejojmë të luhet me ne.”

Kompania Facebook premtoi 10 milionë dollarë për përpjekje të paspecifikuara për dhënien fund të padrejtësisë racore. Prokurori i Përgjithëshëm i Shteteve të Bashkuara William Barr bëri thirrje për qetësi përmes një deklerate të dielën. “Dhuna e vazhdueshme dhe shkatërrimi i pronave rrezikon jetën dhe jetesën e të tjerëve dhe cënon të drejtat për protestuesit paqësorë, si dhe të qytetarëve të tjerë. Po ashtu dëmton punën urgjente që duhet bërë, përmes angazhimit konstruktiv mes komuniteteve të prekura dhe udhëheqësve të agjencive të rendit, për të adresuar ankesat e ligjshme. Parandalimi i pajtimit dhe përçarja është synimi i këtyre grupeve radikale dhe ne nuk duhet t’i lejojmë ata që të kenë sukses.” Presidenti Trump ka fajësuar grupimin “Antifa” për pjesën dërmuese të dhunës dhe grupe të tjera të së majtes radikale ndërsa ka ofruar ndihmë federale ushtarake për Minesotën.

Trump u dërgua në bunker të nëndheshëm
Njoftimet e medias thonë se sherbimi sekret, përgjegjës për mbrojtjen e prersidentit, e dërgoi atë në një bunker të nëndheshëm të Shtëpisë së Bardhë, për një kohë të shkurtër, natën e së premtes. “Shtëpia e Bardhë nuk komenton rreth protokolleve të sigurisë dhe vendimeve”, tha për Zërin e Amerikës zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Judd Deere.

Biden viziton zonën e protestës
Joe Biden, që pritet të jetë kandidati i Partisë Demokrate për president kundër Donald Trumpit në zgjedhjet e nëntorit, vizitoi vendin e njërës prej protestave të dielën dhe foli me afrikano-amerikanët në qytetin Uilmington në shtetin e tij Dalaware. Ai u kërkoi protestuesve që të mos kalonin në dhunë. “Jemi një komb në dhimbje tani, por nuk duhet të lejojmë që kjo dhimbje të na shkëtërrojë. Si President, do të ndihmoj në drejtimin e kësaj bisede”, shkroi zoti Biden në rrjetin Twitter. Ai po ashtu kritikoi dhunën përmes një deklerate me email, duke thënë se: “Protesta ndaj një brutaliteti të tillë është e drejtë dhe e nevojshme, por jo djegia e komuniteteve dhe shkatërrimet e panevojshme”.

Të paktën 4,400 njerëz janë arrestuar në mbarë vendin gjatë dy ditëve të fundit, sipas një raporti nga agjencia e lajmeve Associated Press. Shumë biznese në Mineapolis pësuan dëme të mëdha të premten ndërsa protestuesit grabitën dyqanet pranë vendit ku vdid Floyd. Pronari somalezo-amerikan Ahmed Siyad Shafi’i tha Zërit të Amerikës se vandalët sulmuan të gjitha dyqanet e tij gjatë natës. “Thyen dritatet dhe dyertë dhe morën çfarë deshën”. Shafi’i është pronar i një restoranti dhe dyqani rrobash në pjesën jugore të Mineapolisit. Ai tha se është e papranueshme për këdo që shkatërron pronën private ndërsa sugjeroi për protesta paqësore./VOA

Top Channel