Reforma, s’ka konsensus. Ambasadorët në zyrën e Bashës, përpjekje për marrëveshjen

02/06/2020 00:37

Ndërkombëtarët nuk i humbën shpresat për arritjen e një marrëveshjeje për reformën zgjedhore nga partitë politike edhe pse këta të fundit dështuan ta miratonin brenda afatit të zotuar. Para se të takoheshin me Lulzim Bashën diplomatja amerikane dhe dy kolegët e saj ambasadori i BE-së dhe ai britanik i kërkuan klasës politike shqiptare ta miratonin reformen zgjedhore për t’i hapur rrugë aspiratave europiane të Shqipërisë.

Diplomatja Yuri Kim ishte më e drejtpërdrejtë me mesazhin e saj kur foli për kushte të reja të vendosura nga palët duke iu kërkuar të mos këmbëngulnin me pozicione të pazbatueshme. Lulzim Basha bashkë me dy negociatorët e PD dhe LSI Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili i sqaruan ambasadorët për pozicionin e opozitës lidhur me reformen zgjedhore. Kryeministri Rama preferoi të mos flasë pasi sipas tij ka shumë dezinformim, ndërsa parajmëroi se do e bëj në një moment të dytë.

Amerikanët tentuan fort që palët të arrinin një dakordësi brenda afatit të dhënë për reformën zgjedhore, por përpjekja e tyre nuk rezultoi e sukseshshme për shkak se negociatorët politik nuk lëshuan nga pozicionet e tyre madje vendosën edhe kushte të reja. Por, kush vendosi kushte?

Të dielën palët ishin shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje. Socialistët ishin të gatshëm të pranonin identifikimin biometrik por parashikimi për një skenar dështimi ndryshoi situatën. Mazhoranca kërkoi rikthim te votimi dhe identifikimi manual në rast dështimi ndërsa opozita jashtëparlamentare kërkoi garanci duke kërkuar rikthim të komisionerëve politik. /Elda Menga/

Top Channel