Pasojat e Covid-19/ Ekonomia franceze pritet të tkurret për 11% këtë vit

02/06/2020 08:45

Ekonomia franceze pritet të tkurret 11 për qind këtë vit, një shifër më e keqe se vlerësimet e mëparshme për një rënie prej tetë për qind, tha të martën ministri i Financave në Francë, Bruno Le Maire.

“Pasojat nga koronavirusi janë shumë të këqija”, tha Le Maire për mediumin francez RTL.

Franca ka lehtësuar masat e izolimit kundër pandemisë, duke lejuar hapjen e restoranteve, bareve si dhe bizneseve tjera.

Por në Paris, ku koronavirusi mbetet më aktiv se në pjesën tjetër të territorit të Francës, kafenetë, baret dhe restorantet do të kufizohen në ushtrimin e aktivitetit vetëm në hapësirat e jashtme.

“Francezët përsëri mund të jetojnë një jetë e cila është thuajse normale, tha kryeministri, francez, Edouard Philippe, javën e kaluar, ndërsa njoftoi për lehtësimin e masave.

Masat e izolimit në Francë u vendosën më 17 mars pasi filloi rritja e numrit të pacientëve me COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi.

Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins, deri më tani në Francë janë regjistruar 189,348 të infektuar me koronavirus. Prej tyre 28,836 kanë vdekur.

Top Channel