Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, kanë inspektuar strukturën e re spitalore, e cila tashmë ka përfunduar me standarte bashkëkohore dhe do të jetë në dispozicion për trajtimin e të prekurve me COVID19.
“Kapaciteti i këtij spitali është 100 shtretër. Janë 50 shtretër me oksigjen përfshirë këtu edhe terapinë intensive. Është strukturë që na rrit kapacitetet spitalore për përballimin e situatës. Në skenarët tanë kemi planifikuar në total 500 shtretër në 4 spitale COVID, në kuadër të përgatitjes për përgjigjen ndaj COVID19”, u shpreh Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë tha se kjo strukturë strukturë do të përdoret në rastet e shtimit të rasteve në fazën e hapjes, gjatë sezonit turistik ose nëse do të ketë një valë të dytë të COVID19 në vjeshtë.
“Kemi përballuar me sukses Covid19 deri tani, ndërkohë që kemi marrë masat për zgjerimin e kapaciteteve qoftë për testimet, për sigurimin e mjeteve të mbrojtjes personale dhe për strukturat spitalore”, tha Manastirliu gjatë bashkëbisedimit me gazetarët.
Duke folur për hapjen e kufijve, Manastirliu tha se Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që nuk do të ketë testime për qytetarët që hyjnë në Shqipëri.
E pyetur për shtrirjen e testimeve serologjike në popullatë, Manastirliu u shpreh se testimi do të vijojë edhe tek qytetarët, sipas një kampionimi dhe për këtë është gati një plan që pritet të miratohet nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.
Në komunikimin me gazetarët, Manastirliu tha se janë marrë të gjitha masat që testimet të mos mungojnë në zbatim të strategjisë së miratuar, ndërkohë që është rritur dhe stoku i materialeve të mbrojtes personale dhe po vijon puna për forcimin e kapaciteteve spitalore.
Deri tani janë vënë në dispozicion 2.5 miliardë lekë nga qeveria për përballimin e situatës së shkaktuar nga COVID19.
Top Channel