Durrësi, në pritje të pushuesve/ Edhe pse u hapën plazhet dhe kufijtë, hotelet në fazën e aplikimit për leje

02/06/2020 19:55

Edhe pas hapjes së plazheve dhe kufijve tokësorë, pushuesit në plazhin e madh të Durrësit janë të paktë.

Plazhi duket i boshatisur dhe pse ka qytetarë që shëtisin e bëjnë banjo dielli. Të heshtura janë edhe hotelet që ndodhen në vijën e parë. Asgjëkundi nuk sheh shezlonge në brezin e rërës. Mungojnë dhe çadrat klasike. Frika nga sekuestrimi i tyre i ka shtyrë përgatitjet e fundit për në një moment tjetër. Hotelet dhe bar-restorantet e shumta përgjatë plazhit janë në fazën e aplikimit në e-Albania. Megjithatë, pushuesit e parë nga Kosova kanë mbërritur.

”Erdha të bëj pushime. Është mirë në Shqipëri se kjo korona na ka lodhur. Unë e gjeta kohën time dhe erdha. Derisa të vijnë dhe të tjerë, po mirë duket”, shprehet dikush.

”Nga Prishtina. Kemi ardhur pa ndonjë plan konkret”, rrëfehet një tjetër.

”Kishim kohë që s’kishim parë plazhin, si pas pandemie.”

Në pritje të pushuesve të tjerë, dikush po i jep dorën e fundit të bojës mjetet lundruese të argëtimit, ndërsa dikush tjetër ka zgjedhur të peshkojë me rrjeta në det.

”Është gjueti amatore, sa për të nxjerrë drekën dhe për të kaluar kohën se 3 muaj mbyllur.”

Pronarët e lokaleve dhe tregtarët në bregdet shprehen të pakënaqur nga kjo javë e parë e hapjes së plazheve, pasi fuqia blerëse është shumë e ulët.

”780 lekë xhiro bëra dje. Ka ra fare dhe pushues nuk ka. Është zero. Unë e kam me qira lokalin. Ja po merrem me lulet. 250 lekë kam bërë sot.”

“Nuk ka shitje fare. Pushuesit nuk kanë ardhur. Kanë ardhur vetëm këta që kanë bizneset për të vënë para punët e tyre. Me tërmetin që bëri punën e tij, siç shihet, rasti më i mirë do ishte 30-40% më pak se vjet. Dobët.”

Top Channel