Në Brazil po zhvillohen protesta antiqeveritare ndaj presidentit të vendit që akuzohet si autoritar dhe abuzues i pushtetit.
Të dielën, policia ndërhyri për të shmangur përplasjet fizike mes kundërshtarëve dhe mbështetësve të presidentit Zhair Bolsonaro. Fundjava u karakterizua, ashtu si në SHBA me manifestime kundër dhunës policore ndaj komuniteteve me ngjyrë në lagjet e varfra të vendit.
Protestuesit, të veshur me të zeza, lëshuan objekte të forta ndaj barrikadës policore. Forcat e rendit u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës.
Ndërkohë në një distancë të afërt me ta, përkrahësit e presidentit Bolsonaro tubonin për mbylljen e Gjykatës së Lartë të vendit, duke mbajtur pishtarë më zjarr në duar. Gjykata po e heton kryeshtetarin për presion të paligjshëm mbi policinë, akuza të cilat ish-ushtaraku Bolsonaro i quan tentativa absurde për ta rrëzuar nga pushteti.
Në të dyja protestat, qytetarët ndanë mendime politike pro dhe kundër presidentit.
“E vërteta e madhe është se jemi dëshmitarë të përshkallëzimit të autoritarizmit në vend. Qeveria aktuale po përdor pandeminë për ta shtyrë para këtë frymë autoritarizmi, kaosi.”
“Populli brazilian nuk do i lejojë më komunistët ta udhëheqin këtë vend. Po erdhën, do i luftojmë, dhe nëse këtë nuk e bën Bolsonaroja, lufta do jetë civile. Duhet t’i kishim vrarë atëherë, kur unë isha pjesë e ushtrisë më 64-ën.”
Vetë presidenti Bolsonaro u shfaq të dielën i hipur mbi një kalë duke përshëndetur përkrahësit në kryeqytetin e vendit.
Top Channel