“Nuk marr dot frymë”/ Vdekja e Floyd-it “ngre në këmbë” Amerikën, reagojnë Lewis Hamilton dhe Michael Jordan

01/06/2020 17:41
A protester holds a skateboard in front of a fire in Los Angeles, Saturday, May 30, 2020, during a protest over the death of George Floyd.

Ndarja nga jeta javën e shkuar të George Floyd-it, përpos shpërthimit të protestave dhe manifestimeve të shumta në Amerikë ka sjellë edhe reagimin e figurave publike.

Legjenda e NBA-së, Michael Jordan shprehu trishtimin dhe zemërimin e tij për vdekjen e Floyd-it, të cilit një polic i bardhë në Minneapolis i vuri gjurin në qafë, teksa i ndjeri shprehej se nuk merrte dot frymë.

“Jam shumë i pikëlluar, me dhimbje të vërtetë dhe i zemëruar. E shoh dhe e ndiej dhimbjen, zemërimin dhe zhgënjimin e të gjithëve. Qëndroj me ata që po thërrasin kundër racizmit dhe kundër dhunës së rrënjosur ndaj njerëzve me ngjyrë në vendin tonë. Mjaft është”, tha ai.

Legjenda e Chicago Bulls-it bëri thirrje për përmbajtje dhe ndjeshmëri mes përleshjeve midis protestuesve dhe policisë pas vdekjes së Floyd.

“Ne duhet të dëgjojmë njëri tjetrin, të tregojmë dhembshuri dhe ndjeshmëri dhe kurrë të mos i kthejmë shpinën brutalitetit të pakuptimtë. Ne kemi nevojë të vazhdojmë shprehjet paqësore kundër padrejtësisë dhe të kërkojmë përgjegjësi”, shtoi ai.

Jordan, 57-vjeçar, ftoi të gjithë të qëndrojnë krah për krah në mënyrë që të bëhen pjesë e zgjidhjes.

“Zëri ynë i unifikuar duhet të bëjë presion ndaj liderëve tanë për të ndryshuar ligjet tona, ose duhet të përdorim votën tonë për të krijuar ndryshime sistemike. Secili prej nesh duhet të jetë pjesë e zgjidhjes, ndërsa ne duhet të punojmë së bashku për të siguruar drejtësi për të gjithë”.

Ai gjithashtu shprehu ngushëllimet e tij të përzemërta për familjen e George Floyd.

“Zemra ime është me familjen e George Floyd dhe shumë të tjerëve, jeta e të cilëve është marrë brutalisht dhe pa sens, përmes akteve të racizmit dhe padrejtësisë”, shtoi ai.

Po kështu, piloti i ekipit Mercedes në Formula 1, Lewis Hamilton në një deklaratë nga llogaria e tij në Twitter u shpreh:

“Disa prej jush janë yje të mëdhenj, por qëndroni të heshtur në mesin e padrejtësisë. Nuk ka asnjë shenjë nga askush në industrinë time, që është një sport i dominuar nga të bardhët. Unë jam prej njerëzve jo të bardhë dhe qëndroj i vetëm këtu”.

Racizmi është një problem për të gjithë botën theksoi Hamilton duke vlerësuar më tej se “jo vetëm në Amerikë, racizëm ka në Britani, Spanjë, në Itali dhe në çdo vend. Mënyra e sjelljes ndaj pakicave duhet të ndryshojë. Nuk kemi lindur me racizëm dhe urrejtje në zemër, këto na janë mësuar”.

Hamilton ka shtuar se është kundër ngjarjeve të dhunshme dhe se mbështet protestat paqësore.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel