Pak ditë më parë, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, publikoi një video tek shihej, Zaida Çobo, nëna e 15-vjeçarit të dhunuar nga policia pranë Parkut të Liqenit në Tiranë, me një pistoletë në dorë.
Veliu iu drejtua deputetëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku tha ndër të tjera se këto pamje tregojnë se nga çfarë familje vjen djali. Pas këtyre deklaratave u mësua se në fakt bëhej fjalë për skenën e një filmi në të cilën ka luajtur zonja Çobo. Ndërkaq, e ftuar në studion e “Shqipëria Live”, ishte ish-deputetja Orjola Pampuri.
Ajo tha se familja me publikimin e pamjeve pësoi një dhunë të dytë. Gjithashtu shtoi se është takuar me familjen Çobo dhe rrëfen se ata ndiheshin shumë të rënduar nga ana psikologjike.
“Unë kam qenë në familjen e Zaidës, ajo mbështetej nga i vëllai dhe e ëma. Çdo takim ka qenë me dëshirën e saj. Me thënë të drejtën kam parë një nënë që përpiqej të rriste fëmijët e saj. Kjo ishte një sfidë që i kishte bërë jetës, të rrisësh një fëmijë me shumë mund është shumë e vështirë. Është një periudhë që kërkojnë shumë dhe në fund të kësaj faze vendosin një identitet. Djali tha unë kisha besim, i shikoja si mbrojtës, unë tani nuk kam më besim tek Policia e Shtetit sepse ato më dhunuan. E dyta më pas ishte sikur ta dhunoje për herë të dytë. Deklarata ishte shumë e rëndë, një shok psikologjik që pësoi nga dhuna, e pësoi dyfish më shumë nga dhuna e policisë ndaj nënës pa shkak. Zotëria duhet të ushtronte kompetencën e tij dhe të merrte masa”, u shpreh Orjola Pampuri.
Top Channel