Ushtria e Somalisë vret mbi 18 militantë të al-Shabaab

31/05/2020 15:40

Të paktën 18 militantë të al-Shabaab u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në një operacion në rajonin e poshtëm jugor Shabelle, njoftoi të dielën ushtria.

Gjenerali Abdihamid Mohamed Dirir, komandanti i këmbësorisë në ushtrinë e Somalisë, deklaroi për radion e ushtrisë se operacioni kundër militantëve të lidhur me al-Kaedën u zhvillua në fshatrat Bulo Urunji dhe Busley, jashtë qytetit strategjik Janaale, i cili u çlirua së fundmi.

“Ne kemi kryer një operacion kundër militantëve të al-Shabaab që ishin fshehur në shkurre…Arritëm të vrisnim më shumë se 18 prej tyre dhe plagosëm disa të tjerë”, tha Dirir.

Abdirahman Mohamed, një zyrtar ushtarak, tha për AA se asnjë ushtar i qeverisë nuk u vra ose plagos gjatë operacionit.

Banorët në rajon thanë se dëgjuan krisma armësh gjatë aksionit ushtarak.

Janaale është një qytet i pasur bujqësor që ndodhet 95 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit Mogadishu.

Operacioni vjen një ditë pasi komandot e Somalisë të shtunën vranë të paktën tre militantë të al-Shabaab në qytetin Leego.

Top Channel