Studimi/ Publikohen të dhëna të reja për origjinën e Covid-19

31/05/2020 01:42

Një thellim në gjenetikën e koronavirusit të ri, ka treguar se ai duket se ka kaluar pak kohë duke infektuar si lakuriqët e natës ashtu edhe pangolinin para se të kalonte tek njerëzit. Pangolinët, që shiten si ushqim në Kinë, kanë qenë të dyshuarit e parë si burim i mundshëm i pandemisë.

Sërish, kërkuesit thonë se është ende shpejt për të fajësuar pangolinët për pandeminë dhe se një specie e tretë mund të ketë shërbyer si bartës i virusit para se ta kalonte tek njerëzit. Ajo që është e qartë, është se koronavirusi ka shkëmbyer gjene në vazhdimësi me viruse të ngjashme, duke infektuar lakuriqët e natës, pangolinët dhe një specie të tretë të mundshme, thotë një ekip kërkuesish në universitetin Duke.

Po ashtu është e qartë se njerëzit duhet të reduktojnë kontaktin me kafshë të egra që mund të transmetojnë infeksione të reja, thonë ata. Ekipi analizoi 43 gjenoma të plota nga tre lloje koronavirusesh që infektojnë lakuriqët e natës dhe pangolinët dhe që ngjasojnë me virusin e ri Covid-19.

“Në studimin tonë, ne kemi demonstruar se Sars-Cov-2, ka një histori të pasur evolucioni që përfshin edhe një shkartisje të materialit gjenetik mes koronavirusit të lakuriqëve të natës dhe pangolinit, para se të fitonte aftësinë për të kaluar tek njerëzit”, thonë kërkuesit. Por, sidoqoftë, ky kërkim i fundit, nuk konfirmon pangolinin si kafshën që ka kaluar virusin tek njeriu por thellon studimet e mëparshme që kanë sugjeruar se ai mund të ishte përfshirë.

Kërkuesit thonë se virusi më i ngjashëm me Covid-19 qarkullonte tek lakuriqët e natës, por nuk kishte proteinën që i duhej për të hyrë në qelizat njerëzore. Kjo aftësi mund të jetë fituar nga një virus i gjetur tek pangolinët, por edhe kjo nuk është përfundimtare.

Top Channel