Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar për dy të vdekur dhe 62 raste të reja me koronavirus në Maqedoninë e Veriut nga 771 mostra të testuara në 24 orët e fundit. Viktimat janë një burrë i moshës 64 vjeç nga Gostivari dhe një tjetër i moshës 60 vjeçe nga Struga. Me dy viktimat e reja numri i personave që kanë humbur betejën me Covid-19 ka arritur në 133 persona.
Sa i përket infektimeve, numri më i madh i tyre është nga Shkupi, gjithsej 24 raste ndërsa numër të lartë ka edhe në qytetin e Shtipit ku janë regjistruar 14 të infektuar dhe 12 në qytetin e Tetovës.
Nga 2226 të infektuar në Maqedoninë e Veriut, 1552 janë shëruar ndërsa aktiv ende janë 541 raste.
Me koronavirus është infektuar edhe deputeti dhe njëherit nënkryetari i LSDM-së Muhamed Zeqiri, së bashku me bashkëshorten dhe vajzën tremuajshe. Njoftimi është bërë nga vet Zeqiri.
“Unë bashkë me bashkëshorten dhe vajzën tremujshe kemi rezultuar pozitiv në testimin për COVID 19…edhe njëherë ju bëj thirrje të gjithëve të mos e neglizhoni mundësinë nga infektimi dhe të jeni të kujdesshëm. Nëse keni ndonjë shenjë edhe më të vogël dyshimi mos hezitoni të vizitoni mjekun amë dhe t’i nënshtroheni testimit”, ka shkruar ai në Facebook.
Drejtuesit e institucioneve kanë tërhequr vërejtjes se rritja e raste të të infektuarve mund të rikthej masat e karantinës shtetërore nëse qytetarët nuk do të respektojnë masat mbrojtëse.
Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se 673 personave i ka shqiptuar gjobë për mosmbajtjen e maskave vetëm në 24 orët e fundit.
Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski ka firmosur dekretin për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme edhe për 14 ditë.
Pendarovski ka thënë se gjendja e jashtëzakonshme është vazhduar pas informacioneve për rritjen e numrit të të infektuarve që institucionet të kenë mundësi ligjore të përballen me pandeminë.
Top Channel