Qardaku: Preferoj të luaj në të majtë, ndaj Tiranës duam 3 pikët

30/05/2020 16:31

Bylis ka qenë padiskutim skuadra surprizë e këtij kampionati, me lojën e treguar dhe rezultatet e arritura. Për një moment mallakastriotët arritën të qëndronin në vendin e dytë, ndërkohë që këtë sezon kanë nënshtruar të gjithë të mëdhatë e kampionatit. Një skuadër e ndërtuar me kujdes, një miks midis lojtarëve me eksperiencë me të rinjtë e talentuar.

Eridon Qardaku la Shkodrën dhe Vllazninë për të tërhequr vëmendjen pikërisht në Ballsh, ku këtë edicion është aktivizuar në 20 ndeshje, 11 prej të cilëve si titullar, ndërkohë që ka shënuar dhe golin e parë në Superiore, në fitoren e thellë 5-0 ndaj Flamurtarit. Ende pa mbushur 20 vjeç shkodrani konsiderohet si një investim i klubit dhe duket se sezoni i parë në elitë është vetëm fillimi për të.

“Kam parë perspektivën e ekipit këtë edicion. Është sezoni i parë në Superiore dhe vlen shumë për të fituar eksperiencë. Nuk jam i kënaqur me veten, por do synoj të shkoj aty ku dua unë dhe ekipi”, tha shkodrani.

Sezoni i parë i Qardakut në Superiore u shoqërua dhe me këtë ndalesë historike të futbollit jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë globin. Në Ballsh stërvitja nuk është ndalur, me lojtarët që kanë respektuar rregullat e vendosura.

“Për çdo sportist nuk është e mirë kjo ndalesë. Na ka ndalur hovin, por jemi stërvitur në kushte shtëpie. Kemi punuar dhe po mundohemi të shkojmë aty ku duhet”, deklaroi Qardaku.

Këtë edicion shkodrani është parë të luajë në disa pozicione në fushë, me trajnerin Veljko Dovedan që e ka aktivizuar në të gjitha rolet në repartin e sulmit. Qardaku tregon pozicionin e preferuar në fushën e lojës.

“Këtë sezon kam provuar të luaj në të gjitha pozicionet në sulm, edhe si qendërsulmues, por pozicioni im natyral është sulmues i majtë. Megjithatë luaj ku të vendosë trajneri”, tha sulmuesi.

Një shprehje e urtë popullore thotë “i riu si veriu” duke iu referuar impulsit që mund të sjellë freskia e moshës. Edhe pse rifillimi i kampionatit do të jetë ndaj rivalit më të papërshtatshëm Tiranës, Qardaku nuk stepet dhe lëshon sfidën.

“Çdo ndeshje luajmë për tre pikë dhe ndaj Tiranës nuk kemi presion. Luajmë futboll të pastër dhe shpresojmë të dalim me fitore. Janë shumë komponentë që na bëjnë të besojmë tek suksesi. Nuk na mungon asgjë që të marrim pikët e plota ndaj Tiranës”, u shpreh Qardaku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA