Ka përfunduar pas katër orësh mbledhja e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, asnjë marrëveshje dhe në fjalën e tij përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi, u shpreh se nuk ka pasur asnjë marrëveshje.
“Për çështjen e administrimit të zgjedhjeve dhe gjykimit nuk heq dorë nga modeli i 30 qershorit. Vetë mbush kutitë, vetë i numëron dhe vetë shpall rezultat. PS në strategjinë e saj ka vetëm një gjë, vjedhjen dhe marrjen e votave në tavolinë. Kjo është një vizë e kuqe që opozita nuk do të lejojë të kalohet. Pa u arritur dakortësia për propozimin tonë që bllokon mbushjen e kutive përmes identifikimit biometrik të zgjedhësve në të gjitha qendrat e votimit, të gjitha përpjekjet e tjera nuk janë gjë tjetër veçse përpjekje për të maskuar, u shpreh ai.
Ndërsa Petrit Vasili, përfaqësuesi i LSI-së tha:
“Mazhoranca kërkon të legjitimojë eksperimentin e 30 qershorit ku numëruesit dhe komisionerët e qeverisë të bëhen me ligj. PS me një votim korrekt nuk i fiton zgjedhjet. Tani kërkon të mbushë kutitë në tavolinë e të numërojë votat vetë ashtu si bëri në 30 qershor. Opozita nuk tërhiqet nga standardet bazike dhe të hyjë në një rrugë pa krye. Sot ka vetëm një strategji të PS ta minojë reformën zgjedhore dhe të shkojë drejt logjikës së faktit të kryer”.
Top Channel