Kohë covid-i/ Basha mbledh qytetarët në Durrës: E vetmja kurë për Ramavirusin është bashkimi i shqiptarëve dhe zgjedhjet e lira

30/05/2020 14:19

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua me banorët e Kënetës në Durrës.

Për kreun e opozitës është shumë e rëndësishme që mbyllja dymojore “i bëri shqiptarët të kuptojnë se rreziku më i madh për shëndetin dhe ekonominë e tyre është Ramavirusi”. Në komunikimin me banorët e Kënetës, zoti Basha tha se “largimi një orë e më parë i Edi Ramës është kërkesë e shumicës së shqiptarëve, pavarësisht përkatësise politike, profesionit apo moshës së tyre, pasi ai konsiderohet si e keqja më e madhe në keto 7 vjet për ekonominë, arsimin dhe shëndetësinë”.

“Ramavirusi ka vepruar në mënyrat më perfide dhe tinzare për të shkatërruar ekonominë, për të shkatërruar vendet e punës, për të shkatërruar familjet tona, për të nisur qindra mijëra djem dhe vajza drejt emigracionit dhe për të shkatërruar institucionet e demokracisë, për të prishur zgjedhjet, për të kapur drejtësinë dhe po bëjnë gjithçka sot për të shkatërruar edhe reformën zgjedhore, sepse Ramavirusi ka frikë nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ato janë vaksina që do ta mposhtë, do ta shkatërrojë e do t’ua kthejë Shqipërinë shqiptarëve.”- tha zoti Basha.

“Nuk e di se kur do të vijë kura për koronavirusin, shpresoj sa më shpejt, por e di qe e vetmja kurë për Ramavirusin është bashkimi i shqiptarëve, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.”- theksoi zoti Basha.

“Asnjë popull nuk ka paguar rritje taksash këto shtatë vite si shqiptarët. Asnjë popull nuk ka paguar rritje të faturave të energjisë, rritje të çmimit të karburantit si shqiptarët. E pra taksat i rriti, faturat e energjisë i rriti, çmimin e naftës e rriti, gjobat i rriti dhe kur erdhi dita, kur erdhi dita, kur e vetmja detyrë e çdo qeverie në botë ishte t’u vinte në ndihmë njerëzve, Edi Rama i braktisi njerëzit, i braktisi familjet në nevojë, i braktisi bizneset, i braktisi të punësuarit, i braktisi të papunët”- tha kreu i opozitës.

“Në vend që t’i çojë paratë për t’i ndihmuar ata që I humben vendet e punës sepse u mbyllen bizneset dhe është përgjegjësia e shtetit me kushtetutë dhe ligj të kompensojë çdo dem. Është detyrë e Edi Ramës, nuk është lëmoshë e qytetarëve. Edi Rama është i lidhur kokë e krye me mafien që do të ndërtojë kullat e korrupsionit në territorin e teatrit dhe jo vetëm kaq por në emrin tuaj, në emrin e shtëpive tuaja, të fëmijëve tuaj, me leket që dalin nga xhepat tuaj, do të marrin 30 milionë euro borxh që të ndërtojnë teatrin e ri. Në mes të pandemise i ka lënë njerëzit pa bukë, i ka lënë njerëzit pa shpresë, i ka lënë bizneset mes katër rrugëve dhe do të marrë 30 milionë euro për të ndërtuar një teatër të ri.”- u shpreh Lulzim Basha.

“Nuk ju premtoj mrekullira, por unë dhe Partia Demokratike dhe koalicioni i opozitës së bashkuar me i madhi në 30 vite, ju premtojmë se ne do të sillemi si një qeveri normale për t’ju garantuar një jetë normale që ju të keni dinjitetin normal. Ju garantoj se do t’i japim fund hedhjes së parave të taksave tuaja në xhepat e oligarkëve. “- u shpreh zoti Basha.

Top Channel