Asist i Rashicës, Werderi befason Schalken, zhgënjejnë Mainzi dhe Wolfsburgu

30/05/2020 18:39

Tjetër fitore shpresëdhënëse për Werder Bremenin për objektivin mbijetesë. Skuadra nga veriu i Gjermanisë mposhti me rezultat minimal Schalke 04 në “Veltins Arena”, duke rritur shanset për qëndrimin në elitë, edhe pse do t’i duhet të vijojë me këtë ritëm në takimet e mbetura të sezonit.

Protagonist në këtë sukses të skuadrës së drejtuar nga trajneri Kohfeldt, “dardani” Milot Rashica, i cili, pasi i rrëmbeu topin kundërshtarit, shërbeu Bittencourt, që realizoi një gol spektakolar me një goditje të kalibruar, që nuk mund të arrihej nga portieri vendës.

Kujtojmë që Rashica u zëvendësua në minutën e 58-të, duke mos e fshehur zhgënjimin për këtë vendim të trajnerit të tij.

Werderi edhe pas këtij suksesi mbetet në vendin e parafundit (17) me 25 pikë, por me më shumë shanse për të parakaluar Dusseldorfin apo Mainzin (rrezikojnë ende rënien edhe Augsburgu dhe Union Berlini) deri në përfundim të Bundesligës.

Vazhdon të zhgënjejë Mainzi, që u mposht 0-1 nga Hoffenheimi, për të cilin realizoi Bebou.

Edhe Eintracht Frankfurti mori një rezultat surprizë në fushën e Wolfsburgut (1-2). Për miqtë shënuan Andre Silva me 11-metërsh dhe Kamada, duke zhvlerësuar finalizimin e Mbabu, që barazoi përkohësisht rezultatin.

I vetmi triumf i skuadrave vendëse ishte ai i Herthas së Berlinit, 2-0 përballë Augsburgut (shënuan Dilrosun dhe Piatek).

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA