Vrasja e George Floyd/ Prokurori thotë se nuk ka prova për akuza ndaj policëve

29/05/2020 17:34

Prokurori që po heton vrasjen e një zezaku të paarmatosur gjatë arrestimit nga policia e Minessota, tha se ndaj oficerëve të përfshirë mund të mos ngrihen akuza kriminale.

Prokurori Attorney Michael Freeman tha se ishte i shokuar nga vdekja e tmerrshme e George Floyd të enjten në Minneapolis por tha: “Përveç pamjeve, kemi edhe prova të tjera që nuk mbështesin ngritjen e akuzave kriminale ndaj oficerëve”.

Ai refuzoi të jepte më shumë detaje për procedimet, por pranonte se momentet e fundit të jetës së Floyd me policin që i shtypte zverkun me gju, ishin të tmerrshme, ndersa shtoi se puna e tij ishte të ‘provonte shkeljen e një statuti kriminal.’

Ndërkohë pas protestave masive kundër dhunes së policisë, presidenti Donald Trump ka kërcënuar të marrë kontrollin e Minneapolis, duke paralajmëruar ata që quante “rrugaçë” se forcat do të qëllojnë ndaj grabitësve, pasi demonstruesit dogjën një rajon policie dhe protestat kundër dhunës policore kanë shpërthyer në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

Trump ndërhyri me një koment në Twitter pas ditës së tretë të protestave kundër vrasjes së George Floyd në duart e policisë.

Komenti i ashpër i presidentit më pas u fshi nga rrjeti Twitter me justifikimin se nxiste dhunë.

Dje policët u detyruan të braktisnin rajonin 3 të policisë së Minneapolis kur protestuesit i vunë zjarrin dhe bastisën atë me shkopa bejsbolli, sopata e pishtarë.

Zhvillimi ndodhi disa orë pasi prokurorët thanë se “nuk ka prova për akuza kriminale” ndaj katër oficerëve të akuzuar për vrasjen e Floyd.

Në një nga skenat shokuese të së premtes, policia e Minnesota arrestoi një gazetar CNN në transmetim direkt gjatë trazirave në Minneapolis.
Teksa ishte duke transmetuar gazetari i CNN Omar Jimenez u prangos dhe u shoqërua, bashkë me një producent dhe fotogazetar të CNN.

Top Channel