Vdekja e George Floyd / Përleshjet e dhunshme në Minneapolis, kundër demonstruesve dërgohet Garda Kombëtare!

29/05/2020 11:04

Ato që nisën si tubime paqësore, u përshkallëzuan shpejt në dhunë e kaos në dy qytete të Minnesotës, ku shpërtheu zemërimi ndaj vdekjes së një 46 vjecari të paarmatosur me ngjyrë.

Pamjet filmike të George Floyd, të shtrirë në tokë duke gulcuar për pak ajër, teksa një polic i bardhë i rëndonte mbi qafë me gjurin dhe të gjithë peshën e vet, ishin shkëndija e shpërthimit të indinjatës, që u përkthye shpejt në përleshje me policinë, zjarrvënia e vandalizma. Protestat kanë vazhduar për të tretën ditë radhazi; tubuesit hynë në një stacion të policisë, duke ndezur brenda zjarr dhe injoruan thirrjet e organeve të sigurisë për të shmangur dhunën.

Pas përleshjeve të dhunshme, në Minneapolis u dërgua Garda Kombëtare, çka dëshmon qartë sesa e rëndë është situata në zonë. Kryebashkiaku Jacob Frey, kërkoi ngritjen e një padie penale kundër një efektivit që nuk e lëviz gjurin nga qafa e 46 vjecarit, pavarësisht se ai përsëriste vazhdimisht se nuk mund të merrte frymë. Floyd vdiq më vonë në spital, çka nxiti shpërthimin e protestave brenda komunitetit dhe krahasime me një seri të ngjarjeve të ngjashme të viteve të fundit, kur persona me ngjyrë kanë vdekur në duart e policëve të bardhë. Katër efektivë të përfshirë në episodin e fundit janë larguar nga puna, ndërsa në hetimet mbi vdekjen që solli kaq shumë trazira, është përfshirë dhe FBI-ja.

Top Channel