Mat/ Të shtëna me armë në drejtim të një banese, policia dhe RENEA “blindojnë” zonën (arrestohet i dyshuari)

29/05/2020 09:02

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat kanë marrë informacion se një person i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të portës së jashtme të rrethimit të banesës së shtetasit L. N., banues në njësinë Administrative Komsi, Mat.

Pas njoftimit të marrë, Policia e Matit arrestoi S. K., 25 vjeç, banues në njësinë Administrative Komsi, i cili për motive të dobëta ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të banesës së shtetasit L. N.

Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit S. K., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 320 fishekë dhe një granatë.

“Nga veprimet e para hetimore rezultoi se ky shtetas, pasi kishte qëlluar me pistoletë në drejtim të portës së jashtme të murit rrethues të banesës së shtetasit L. N. e kishte hedhur armën e zjarrit në një rezervuar.

Polumbarët e RENEA-s do të vijojnë kontrollin në rezervuar, me qëllim gjetjen e armës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Shkatërrimi i pronës”, “Prishje e qetesisë publike””, njofton policia.

Top Channel