Kroacia ka hapur kufijtë me 10 vende në kuadër të lehtësimit të masave kundër pandemisë. Qytetarët e Çekisë, Hungarisë, Austrisë, Estonisë, Lituanisë, Letonisë, Polonisë, Sllovenisë, Gjermanisë dhe Sllovakisë, tani mund të hyjnë në territorin kroat, me kushte të njëjta sikurse para pandemisë. Megjithatë, ata duhet të përmbushin rekomandimet e Institutit kroat të Shëndetit Publik lidhur me masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Ministri i Brendshëm i Kroacisë, Davor Bozhinoviq tha se qytetarët e këtyre vendeve që hyjnë në Kroaci, do të regjistrohen dhe do t’ju merren të dhënat për vendin e qëndrimit, numrat e telefonit dhe adresa e postës elektronike. Ai tha se qytetarët mund të dërgojnë të dhënat – para udhëtimit – edhe përmes formularit në faqen e internetit entercroatia.hr.
Kjo faqe e internetit aktualisht është në gjuhën angleze dhe kroate dhe në ditët në vijim, do të përkthehet edhe në dhjetar gjuhë të tjera. Kroacia po tenton të përfitojë nga numri relativisht i ulët i rasteve të koronavirusit në vend për të shpëtuar sezonin turistik të këtij viti. Vendi në Adriatik, me 4.2 milionë banorë, ka regjistruar rreth 100 viktima dhe më pak se 2 mijë raste koronavirusi.
Ndërsa konkurentët e Evropës jugore si Spanja dhe Italia, janë shlyer nga shumë lista udhëtimesh për shkak të situatës me koronavirusin atje, Kroacia është në pozicionin e duhur për të marrë një pjesë të turistëve që do të zgjidhnin ato vende. Rreth 150 mijë të huaj, kryesisht sllovenë fqinjë që zotërojnë apartamente në bregdet, kanë mbërritur tashmë në Kroaci pasi vendi filloi zbutjen e kufizimeve në fillim të muajit. Çdo ardhje do të ishte e mirëpritur në vend, ku zyrtarët parashikojnë një rënie prej 70 për qindësh të të ardhurave nga turizmi.
Top Channel