Ishte korrik i vitit 1975, kur 16 anëtarët e familjes Fezollari, nga Pogradeci, u arratisën nga Shqipëria për të shkuar në Maqedoni, me anë të një varke të ndërtuar me mushama.
Asokohe lajmi që kjo familje u arratis mori dhenë, për të folur rreth kësaj ngjarje, në studion e emisionit “Shqipëria Live”, ishin të ftuar anëtarët e familjes Fezollari.
“Akoma e mbaj mend si sot se si kaluam liqenin. Kur kemi hyrë në liqen uji na hynte tek varka, unë shtrëngoja vëllanë shumë fort, maja e varkës lëviste shumë. Ka qenë vajza e xhaxhait që qante, ka qenë një vjeçe dhe ajo gjatë gjithë natës vetëm ka qarë. Ndërkohë vëllai i saj gjashtë muaj ka qenë më i vogli. Gjatë gjithë kohës kemi qëndruar zgjuar, thërrisnim vetëm: O Allah na shpëto”, u shpreh Nuhrija, asokohe 11 vjeçe.
Ndërsa Beshiri, i cili ishte më i vogli nga tre vëllezërit që morën këtë iniciativë (vëllezërit që morën pjesë, Et’hem, Feridon dhe Beshir). Tregon se ato ishin përgatitur për gjithçka, madje nëse forcat e vendit tonë do të tentonin t’i ndalonin, Beshiri ishte përgatitur për t’i sulmuar.
“Përsa i përket moshave, çupa ka qenë 18-muajshe ndërsa djali gjashtë muajsh. Përsa i përket çështjes së armëve, vëllai i madh ka pasur një armë. Ka qenë një granatë angleze dhe vëllai kishte depozituar dinamit me kapsollë. Ne ishim të përgatitur në rast se zbuloheshim. Unë isha i stërvitur nëse vinte motorskafi. Unë isha i përgatitur të notoja 50 metra nën ujë dhe granatën do t’ua hidhja atyre. Komunizmi kishte krijuar një armatim sikur do të luftonte me superfuqitë e botës. Ne do të bënim të mundur që të iknim. Unë e di që ka qenë roja i Shën Naumit, ne nuk dinim asnjë fjalë maqedonisht. Ne nuk pyesnim asnjë të na mësonte maqedonisht, nuk dinim si thuhet mirëmëngjes në maqedonisht. Nuk u interesuam sepse binim në sy. (Një zotëri maqedonas që i ndihmoi rastësisht) Por ai ishte personi i vetëm që bëri kontakt me ne, ishte dhe festë atë dite, ka pasur shumë publik. Si përfundim u detyruam që ai të na sillte një shqiptar dhe i tha se janë shqiptar, në muhabet e sipër na tha s’është e mundur. Ne i thamë jemi nga Pogradeci dhe s’na ka besuar. Na ka thënë më dëgjoni mua, mos hapni fjalë t’ju dërgoj unë një furgon dhe mos u dorëzoni në Jugosllavi sepse këto mund të kenë një kontratë dhe ju kthejnë mbrapsht. Ne i thamë që kemi dajën në Ohër, i bëri një telefon ushtrisë dhe ne të tre vëllezër na futën në izolim, ndërsa pjesa tjetër e familjes u dërgua në hotel”, tha Beshiri.
Top Channel