Qeveria përmes një ankandi  ndërkombëtar synon ta fusë Shqipërinë në hartën e vendeve që prodhon energji diellore përmes paneleve fotovoltaik, me synimin e shtimit të  sigurisë  energjetike dhe diversifikimt  të burimeve të energjisë, të shpallura si një  prioritet kombëtar.

Ministria e infrastrukturës dhe energjitikës,  Belinda Balluku tha se 5 kompani kanë paraqitur ofertat në ankandin ndërkombëtar për parkun fotovoltaik të Karavastasë, por vetëm një kompani ajo franceze,  ka plotësuar kriteret teknike dhe ato financiare.

“Parku fotovoltaik i Karavastasë që është më i madhi në Ballkan me kapacitet 140 megavat energji, të ndara sipas një skeme që qëndron 70 megavat me një çmim të parashikuar në kontratën e tipit PPA dhe 70 megavat për ti lënë investitorit për ta tregtuar në treg të lirë, pse jo në Shqipëri pasi tani më kemi bursën e energjisë”,  shprehet Balluku.

Ky park energjitik nga ku investimi kap shifrën e 100 milion eurove,  do të shtrihet në bashkinë e Divjakës, në zonën Remas ku janë 122 hektarë tokë dhe në bashkinë e Fierit, në zonën e Libofshës ku janë përfshirë edhe 76 hektarë të tjerë. Kryeministri shpalosi ambicien për ta çuar përpara prodhimin e energjisë përmes paneleve fotovoltaik.

“Kjo është një ditë shumë pozitive për Shqipërinë. Deri në 2050 pritet që të trefishojë nevojën për energji bota ku jetojmë. Ky është parku më i madh në rajon. Për ne është fillimi i një procesi, ku presim rritjen e këtyre kapaciteteve. Çmimi është fantastik, jashtë çdo parashikimi, pritshmëritë ishin larg. Uroj që të jemi në kantier në vjeshtë”, u shpreh kryeministri .

Kryeministri zbuloi edhe një tjetër plan, për ndërtimin e një hidrocentrali të ri nga shteti shqiptarë.

“Shumë shpejt do të dalim në një proces tjetër, i menduar dhe vonuar me më shumë dekada se 30 vite, projektimi dhe ndërtimi i HEC-it të Skavicës. Ka qenë objektiv i të gjitha qeverive, është objekt i domosdoshëm, i komplikuar dhe për këtë arsye qeveritë e kanë pasur në plan por e kanë shtyrë. Kemi vendosur ta ndërtojmë me forcat tona, 100% shteti”, shton më tej Rama.

Projektet për të ndërtuar hidrocentralin e Skavicës datojnë që në vitet 70 si pjesë e veprave hidroenergjitike të kaskadës së Drinit por asnjëherë deri më sot nuk u bë i mundur ndërtimi. Tentativat e fundit  por pa sukses, për të ndërtuar këtë hidrocentral janë në vitet 2014 dhe 2016 nga dy kompani turke. /Muhamed Veliu/

Top Channel