“Në dy muaj dëmi ekonomik 2 mld dollarë”/ Konfindustria i kërkon qeverisë të hapë të gjitha bizneset para 1 qershorit

26/05/2020 11:13

Konfindustria i kërkon qeverisë dhe grupit të menaxhimit të krizës kundër Covid 19 rikthimin e menjëhershëm në normalitet të jetës ekonomike për të gjithë kategoritë e biznesit në gjithë vendin, pa pritur afatin kohor që është 1 qershori.

Sipas Konfindustrisë, dëmi ekonomik i përllogaritur në muajt mars-prill llogaritet në 2 miliardë dollarë dhe çdo vonesë e rikthimit në normalitet do të rriste faturën e dëmit.

Në një deklaratë për mediat, kreu i Konfindustirsë, Gjergj Buxhuku kërkon gjithashtu dhënia e menjëhershme e lirisë së plotë të lëvizjes së qytetarëve në të gjitha qarqet e vendit.

“Vetëm në muajt mars dhe prill 2020 vlerësimet e Konfindustrisë, të pranuar edhe nga përfaqësues të ekzekutivit, kanë përllogaritur një dëm ekonomik prej më shumë se 1,2 miliardë $ për ekonominë formale dhe mbi 2 miliardë $ për ekonominë reale të Shqipërisë. Nga vlera e mësipërme të paktën 350 milionë $ përllogariten të jenë dëme të shkaktuara drejtpërdrejtë nga keqmenaxhimi i krizës. Fatura e mësipërme po vazhdon të rritet me çdo minutë, çdo orë dhe çdo ditë vonesë drejt rikthimit në normalitet”, thuhet në njoftimin e Konfindustirsë.

Konfindustria thekson se pavarësisht se Shqipëria, nuk kishte asnjë pasojë nga pandemia globale Covid 19, është vendi i fundit, në lehtësimin e masave shtrënguese.

“Të gjitha vendet historike të BE, që u prekën më dhjetëra herë më rëndë sesa Shqipëria nga kriza shëndetësore e Covid 19, zbatuan masa shumë herë më të lehta të izolimit dhe njëkohësisht janë shumë më përpara në rikthimin në normalitet. E njëjta gjendje është edhe për vendet e Rajonit, që praktikisht janë rikthyer në normalitet të plotë. Përfundimi është një faturë financiare shumë më e rëndë krahësimisht vendeve të tjera për qytetarët dhe goditje e fortë ndaj fuqisë së konkurrencës të ekonomisë shqiptare”, thuhet në njoftim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA