Fiks fare denoncoi mbrëmjen e së hënës zvarritjen e procedurave nga policia dhe prokuroria për zbardhjen e një aksidenti në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

Automjeti me targa të huaja, pa siguracion, drejtohej nga një punonjës i policisë, i cili lëvizte me shpejtësi të lartë. Pas përplasjes me një automjet në rrugë, mjeti i punonjësit të policisë goditi një motor dhe një mjet tjetër të parkuar. Në fund, autovetura përfundoi në një dyqan bulmetore. Ndërkohë, pronari i automjetit të parkuar, që u dëmtua nga ky aksident, po sorollatet prej disa javësh, në përpjekje për të marrë vetëm dy dokumente nga policia dhe prokuroria, akt ekspertimin auto teknik dhe tabelën fotografike. Për pasojë, ai tashmë lëviz në këmbë, pasi nuk është “gjetur” fajtori i këtij aksidenti të frikshëm.

Olsi Beci thotë se ngjarja e datës 14 prill ende nuk është zbardhur. “Një makinë me targa angleze ka lëvizur me një shpejtësi 100 kilometra në orë, i ka prerë rrugën një makinë Ford në kryqëzim. Pas përplasjes, është futur në një dyqan. Unë kam një mjet Benz Mercedes, me targa AA 793 EF. Në vendngjarje shkoi policia dhe kishte bërë ekspertizën e duhur. Më thanë se çështja do kalojë në prokurori. Pasi të shpallet fajtori, atëherë do marr dëmshpërblimin” thotë ai, ndërsa saktëson se makina e tij është me të gjitha dokumentet, ka siguracionin edhe kolaudimin në rregull. “Njëra nga makinat ka pasur targa angleze. Me sa kam informacion, ka qenë pa siguracion” thotë ai.

Më tej shton se ka shkuar edhe në prokurori, po prokuroria nuk funksionon për momentin dhe duhet të pres që të rifillojë puna, të hidhet shorti dhe të mësoj se çfarë do bëj. “Makina ndodhet në një servis, unë s’e kam lëvizur, deri sa të marr një përgjigje nga prokuroria. Unë dua të lëviz se kam familjar dhe nuk e di çfarë duhet të bëj. Makinën e kam çuar në një servis, pasi s’do e lija në vendin e ngjarjes, në pritje për ta rregulluar.

Kam shkuar edhe te kompania e sigurimeve dhe më kanë thënë që ti duhet të dëmshpërblehesh nga një makinat përkatëse, sepse makina jote mbulon dëmin nëse ti i bën një tjetri, kështu që ne s’kemi çfarë të mbulojmë. Në momentin që s’ka dalë fajtori, unë do rri pezull, makina do të ngrohet në diell” thotë ai.

Qytetari telefonon një nga punonjëset e kompanisë së sigurimeve, e cila i thotë se “duhet të dalë fajtori s’mund ta riparojmë makinën”. Qytetari shkon në Policinë Rrugore në Tiranë, ku bisedon me një punonjës policie, i cili i thotë se duhet të presësh deri sa ta zgjidhë prokuroria, pavarësisht se makina e tij ka qenë e parkuar. Qytetari i thotë se bëhet fjalë për ngjarjen në ish-Bllok, ku makina me targa angleze përfundoi në dyqan. Punonjësi i thotë se “punonjësi i jonë ka qenë (autori me makinë me targa angleze)”.

Më pas, qytetari takon një ekspert të Policisë Rrugore, i cili është hetuesi i aksidentit. Ai i thotë se çështja është në prokurori. “Çështja zgjat 6 muaj” i thotë ai, ndërsa i shton se “duhet ta përcaktojë fajin prokurori dhe kur të përcaktohet fajësia, atëherë do veprosh. Një makinë ka pasur siguracion, tjetra s’ka pasur. Do ta rregullojë Byroja e Sigurimit” i thotë ai. Më tej shtoi se “duhet të mbarojë çështja e fajësisë, pasi dy drejtuesit e mjetit kanë shkuar të dyshuar, nuk ka shkuar njeri fajtor”.

Pas kësaj përgjigje nga policia, qytetari shkon të pyesë në Prokurorinë e Tiranës. Takon sportelistin i cili i thotë se do të pyesë “Kur të hapet puna. Kur ta nxjerrin në televizor që të hapet, që të marësh vesh kush prokuror e ka marrë, se nuk punon sekretaria, deri në një urdhër të dytë”. Qytetari i thotë se ngjarja ka ndodhur në 14 prill 2020, ndërsa punonjësi i thotë “akoma s’janë ndarë ato të fillimit të marsit, se s’kanë hedhur short”.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel