Vizita e parë zyrtare/ Ambasadori italian Fabrizio Bucci nga Gjirokastra: Mbështesim ruajtjen e trashëgimisë kulturore

23/05/2020 10:47

Ambasadori italian Fabrizio Bucci ka realizuar të parën vizitë zyrtare pas lehtësimit të masave në Gjirokastër.

Në takimet me zyrtarë lokalë ambasadori i ri i Italisë në Shqipëri ka komentuar rreth çështjeve të sigurisë në rrethanat post Covid por gjithashtu solli në vëmendje rëndësinë e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe projekteve të përbashkëta në Gjirokastër, pasuri e UNESCO. Z. Bucci komentoi edhe rreth çështjes së shumëdiskutuar të teatrit kombëtar.

“Sa i përket çështjes së teatrit ai është një vendim që i përket autoriteteve shqiptare. Është një vendim klasik që lidhet me qeverinë shqiptare. Ajo që ne kemi thënë gjithmonë dhe e kemi demonstruar edhe me fakte është mbështetja dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore. Këtë vit festohet 100 vjetori i zhvendosjes së kryeqytetit në Tiranë, dhe roli italian ka qenë themelor në ndërtimin e Tiranës moderne. Në fushën e kulturës ne kemi qenë shumë aktiv dhe do të vijojmë të jemi. Gjatë konferencës së donatorëve në shkurt u bënë bashkë donacione të rëndësishme për rindërtimin në Shqipëri dhe Italia ishte kontribuesi kryesor me 91 milionë euro. Një pjesë e këtyre fondeve do të përdoren për të mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe artistike të dëmtuar nga tërmeti.”

Kreu i bashkisë së Gjirokastrës tha se vizita e të parit diplomat të huaj në një zonë të gjelbër është një mesazh i shkëlqyer për sigurinë dhe shpresën se do të ketë turizëm. Z. Flamur Golemi foli për projekte të përbashkëta dhe investime italiane në ekonomi dhe kulturë.

” Në emër të qytetarëve gjirokastritë e ngushëllova ambasadorin për gjithë ato humbje jetësh që pati Italia këtë periudhë. Lidhjet me Italinë janë të hershme që prej viteve 20-30 kur kishte linjë ajrore me Italinë. Tani ramë dakord për bashkëpunime të reja në shumë fusha përfshi trashëgiminë kulturore dhe projektet në turizëm.”

Fabrizio Bucci i diplomuar në vitin 1988 për Shkenca Politike pranë Universitetit të Romës është një diplomat karriere që ka shërbyer në shumë vende. Ai ështe nderuar edhe me  titullin Kalorës i Urdhrit të Meritës së Republikës.

Top Channel