Një tjetër person në kërkim ndërkombëtar bie në prangat e Policisë.
Një 63-vjeçar i dënuar për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Emigracion i paligjshëm” është arrestuar me qëllim ekstradimi drejt Italisë.
“Shërbimet e Policisë të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve mes ZQK Interpol Tirana dhe Departamentit të Policisë Kriminale, bënë të mundur lokalizimin në lagjen “29 Nëntori”, Vlorë dhe arrestimin e shtetasit shqiptar Bashkim Alushaj, 63 vjeç, banues në Vlorë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet policore italiane, pasi Gjykata e Barit, Itali, e ka dënuar me 6 vjet burg, për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Emigracion i paligjshëm”, parashikuar nga Ligji italian për drogat.
Arrestimi provizor u krye me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957 dhe Marrëveshjen dypalëshe mbi ekstradimet nënshkruar mes Republikës së Shqipërisë dhe Italisë”, njofton policia.
Top Channel