Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, regjistroi më datë 20 maj procedimin penal për gjyqtarin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci për veprën penale ″Falsifikimi i dokumenteve″.

Daci në aplikimin e kryer prej tij në shkurt të vitit 2017, për t’u emëruar në funksionin e mësipërm, ka paraqitur rrethana të rreme, duke mos deklaruar faktin se ndaj tij është marrë më parë masa disiplinore ″largim nga puna″. Gjyqtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci, në vitin 1997 është shkarkuar nga sistemi i drejtësisë, për shkelje të ligjit dhe paaftësi në detyrë. Vendimi është marrë më 24 dhjetor të vitit 1997, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, institucion tashmë i shkrirë nga reforma në drejtësi.

Në një njoftim për Top Channel KPA shprehet se: Më 20 maj 2020, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vuri në dijeni Kolegjin e Posaçëm të Apelimit lidhur me vendimin nr. 54, datë 20.05.2020 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sipas të cilit, është vendosur caktimi i masës së sigurimit ndaluese “pezullimi i ushtrimit të një detyre a funksioni publik”, në bazë të nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, për gjyqtarin Luan Daci.
 
Kolegji i Posaçëm i Apelimit është njoftuar gjithashtu, nga gjyqtari Luan Daci që do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore të ankimit ndaj këtij vendimi.
 
Në këto kushte, Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të organizojë punën për vijimin e gjykimeve dhe caktimin e datave për gjykimin e çështjeve, ku gjyqtar Luan Daci nuk është anëtar i trupës gjykuese.
 
Ndërsa në çështjet, ku gjyqtar Luan Daci është anëtar i trupës gjykuese, Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të presë vendimin e Gjykatës së Posaçme Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.​

Top Channel